

SPAK- BKH reagojnë ndaj deklaratave të Ramës: Nuk pati asnjë përplasje në Kryeministri
Byroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar zyrtarisht pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, të bëra gjatë podcast-it të tij, lidhur me një episod të ndodhur në ambientet e Kryeministrisë.
Në reagimin e saj, BKH sqaron se gjatë prezencës së hetuesve në Këshillin e Ministrave nuk ka pasur asnjë debat apo përplasje me Gardën e Republikës, duke përgënjeshtruar interpretimet e krijuara nga deklaratat publike.
Sipas BKH-së, më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të saj janë paraqitur në ambientet e Kryeministrisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, me të cilin ishte vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në hyrjen e brendshme të institucionit, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se, sipas rregullave të sigurisë në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi procedurën dhe vendin e depozitimit të armëve, kërkesë që sipas BKH-së ka qenë thjesht informative.
Garda i ka orientuar hetuesit që armët të depozitoheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, të vendosur në hyrje të institucionit. Pas verifikimit se ambienti ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë dorëzuar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.
BKH thotë se në asnjë moment nuk ka pasur tension, debat apo refuzim për zbatimin e rregullores së sigurisë.
Në reagim, Byroja kujton gjithashtu se e drejta e hetuesve për mbajtjen e armës së zjarrit parashikohet nga ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, përcakton se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të BKH-së, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi.
Deklaratat e Ramës u bënë gjatë podcast-it të tij, ku ai u shpreh se kishte dëgjuar për raste kur oficerë të BKH-së, sipas tij, nuk kishin dashur të respektonin rregulloren e sigurisë për dorëzimin e armëve në Kryeministri, duke përdorur shprehje ironike ndaj tyre.
BKH vlerëson se rasti konkret nuk ka pasur asnjë element konfliktual dhe se procedurat janë ndjekur në mënyrë të rregullt dhe profesionale.
Çfarë tha më herët sot Rama
"…protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






