Transmetuar më 09-12-2025, 10:40

Reagimi i kryeministrit pas deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve: “Nuk hesht për çështjen që prek pavarësinë e funksionit tim”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas qëndrimit të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, e cila e akuzoi atë për “presion” ndaj Gjykatës Kushtetuese, raporton noal. Në një deklaratë të gjatë publikuar sot, Rama e cilëson këtë reagim të Shoqatës si të gabuar dhe të pabazuar, duke theksuar se nuk ka ushtruar presion ndaj gjyqësorit.

Sipas kreut të qeverisë, Shoqata po ngatërron vetë kuptimin e fjalës “presion”, pasi nuk është ankuar për raste të tjera kur, siç thotë ai, figura të ndryshme kanë sulmuar drejtpërdrejt përfaqësues të drejtësisë. Rama thekson se prej një dekade nuk ka qenë në konflikt me gjyqësorin, por ka mbështetur Reformën në Drejtësi edhe përballë “lajthitjeve” që sipas tij kanë dëmtuar të drejtat e qytetarëve dhe interesat e shtetit.

Kryeministri shprehet se nuk ka ndërmend të heshtë, edhe pse është palë në një proces kushtetues, pasi çështja lidhet drejtpërdrejt me pavarësinë e funksionit që ushtron me “votat e afro 1 milionë shqiptarëve”. Ai deklaron se vendimi i një prokurori dhe një gjyqtari ka prekur pavarësinë e këtij funksioni dhe rrezikon ta dëmtojë atë në të ardhmen.

Në vijim, Rama kritikon kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të magjistratëve dhe këshilltarëve të tyre me vendim gjykate, duke e quajtur këtë “skandaloze”. Sipas tij, kjo kërkesë synon të marrë nga buxheti i shtetit një rritje prej rreth 1600 eurosh mbi pagën aktuale, duke anashkaluar kompetencat e qeverisë dhe parlamentit.

Rama kujton se herën e parë ka zgjedhur të heshtë para se Gjykata të merrte një vendim që ai e quan “befasisht të turpshëm”, por thekson se kjo nuk do të ndodhë më.

Megjithatë, kryeministri shpreh gatishmërinë për dialog institucional me Shoqatën e Gjyqtarëve për të adresuar sfidat e drejtësisë së re, duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit duhet mbrojtur jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme, por edhe nga “krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve” që, sipas tij, dëmton besimin e publikut tek sistemi.

E PLOTË/

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve paska bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu:

Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta – madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë reale të shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.

Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.

Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.

Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.

Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit