

Shoqata e Gjyqtarëve akuzon Kryeministrin për presion ndaj gjykatave në çështjen Balluku
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar me një deklaratë të fortë, duke shprehur shqetësim për atë që e konsideron presion të kryeministrit Edi Rama ndaj gjykatave që po shqyrtojnë çështjet që lidhen me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Në deklaratë thuhet se nën petkun e ankesave të kryeministrit për “uzurpimin e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ” nga gjyqësori, në fakt fshihet një mesazh i qartë presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatave të Posaçme, të cilat po trajtojnë çështjen në fjalë, raporton noa.al.
Shoqata thekson se pezullimi i Ballukut nga detyra, vendosur nga gjykata, “nuk është as antiligjor dhe as unik”, por një masë e zakonshme sigurie brenda kompetencave të pushtetit gjyqësor.
Në deklaratë vihet në dukje se prej disa ditësh Shoqata ka ndjekur komunikimin publik të kryeministrit lidhur me çështjen gjyqësore që po shqyrton Ballukun, duke vënë re se procedimet janë në zhvillim pranë Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të posaçme. Sipas Shoqatës, qasja që ka zgjedhur kryeministri shkel kufijtë e komunikimit institucional.
“Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor, në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Mesazhe të tilla të përditshme, të drejtuara ndaj publikut, synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si bazë për marrjen e masave erozive ndaj tij,” thuhet në deklaratë.
Shoqata e Gjyqtarëve thekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë. Në deklaratë shtohet se pavarësia e sistemit të drejtësisë rrezikohet jo vetëm nga veprime që synojnë kufizimin e kompetencave të gjyqësorit, por edhe nga çdo deklaratë që perceptohet si kërcënim apo presion politik ndaj vendimmarrjes së gjyqtarëve, duke minuar besimin e publikut tek drejtësia.
Gjithashtu vihet në dukje se Komisioni Evropian ka adresuar prej vitesh shqetësimet për ndërhyrjet dhe presionet ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë në Shqipëri.
Në deklaratë theksohet se ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë procedurave gjyqësore është “forma më e rrezikshme e shkeljes së ndarjes së pushteteve”, pasi synon deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet presionit të drejtpërdrejtë ose mesazheve të përsëritura publike.
Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve u bën thirrje të gjithë zyrtarëve të lartë të pushteteve të tjera që të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe të distancohen nga sjelljet që e cenojnë atë.
—
E PLOTË
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje prej disa ditësh komunikimin publik të Kryeministrit të vendit lidhur me çështjen gjyqësore në ngarkim të Zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është duke u shqyrtuar në të njëjtën kohë nga Gjykata Kushtetuese, si dhe nga gjykatat e posaçme. Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor. Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit. Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.
Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






