

Opinioni publik u trondit sot nga lajmi për një djalë të ri që u gjet i vdekur pasi kishte rënë nga lartësia 160 metra e rrugës së Arbrit në Klos.
Viktima është Klodian Kulla, 39 vjeç, raporton noa.al. Policia tha se pak para mesnatës duke gdhirë dita e sotme, rreth orës 23:40, tek ura e fshatit Fshat, bashkia Klos, Klodian Kulla dyshohet se është vetëhedhur nga ura dhe për pasojë, ka humbur jetën.
Si pasojë e terrenit të vështirë, pas disa orësh kërkimi nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikësve, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit nga gremina.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Paraprakisht janë dy pista hetimore, ajo e vetëvrasjes, por hetimi nuk përjashton dhe pista të tjera.
Por enigmë mbetet fakti përse i ndjeri Klodian Kulla u nis nga Tirana dhe shkoi në rrugën e Arbrit ku më pas, përfundoi në greminë pasi u hodh nga ura 160 metra e lartë.
Hetimet që po kryhen shpresohet të hedhin dritë mbi këtë ngjarje.
Klodian Kulla, lindur dhe banues në Tiranë ishte arrestuar dhjetë vjet më parë në 2015 pasi siç tha policia, kishte qëlluar me armë zjarri në mjediset e brendshme të një lokali në rrugën “Xhanfize Keko”.
Atëherë, Kulla u arrestua në flagrancë dhe u akuzua për “mbajtje pa leje e armeve të zjarrit dhe municionit luftarak “dhe “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”.
Klodian Kulla ishte nipi i të ashtuquajturit Gjenerali Nehat Kulla.

I ashtuquajturi “Gjenerali”, në vitin e mbrapshtë 1997 krijoi një “komisariat policie” në zonën e “Kinostudios” në Tiranë.
Nehat Kulla arriti që gjatë trazirave të vitit 1997, të krijonte një bandë për të ruajtur rendin në zonën ku banonte. Kulla, gjatë kësaj periudhë, së bashku me “ushtarët” e tij, arrin të mbajë të paprekur repartin e “Xhenios” gjatë trazirave dhe hapjes së depove të armëve. Kështu, atij i mbetet edhe nofka “Gjenerali”, prej banorëve të zonës, për të cilët ishte personi më me influencë gjatë trazirave.
Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të “Kinostudios” dhe “Tufinës” një lloj sigurie dhe duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Simbol i Nehat Kullës ka qenë edhe një kamionçinë ushtarake tip “Shevrolet” me targa ushtrie dhe sinjale Policie.
Të paktën atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora. Kulla ishte person i skeduar që para trazirave të vitit 1997. Ai është dënuar gjatë komunizmit për plagosje, ndërsa në dhjetor të vitit 1996 u dënua me 11 vjet burg për vrasjen e Petrit Moriçenit dhe vëllezërve Neziri. Në vitin 1997 arratiset nga burgu, por arrestohet më 12 shtator 1999 në aksin rrugor Peqin-Elbasan.
Në makinën e Kullës, Policia gjeti disa armë, të cilat hodhën dhe akuzën e parë ndaj tij. Më pas, gjatë kontrollit në banesë, u gjet një arsenal i tërë armësh të kalibrave të ndryshëm, armë të cilat Kulla tha në proces se i kishte ruajtur si pronë e Halil Haklajt. Kulla, gjatë shqyrtimit gjyqësor, tha se nuk ishte vrasës, por kishte bërë të pamundurën për të ndihmuar njerëzit hallexhinj, të cilët i kërkonin ndihmë. Ai lirohet nga burgu pas një zbutjeje dënimi në vitin 2000.
Kulla më pas arrestohet në vitin 2005 dhe akuzohet për vrasjen e Halim Gjuzit, në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata. Kanë qenë disa dëshmi që kanë parë mjetin me targa ushtarake ato që bënë që Kulla të dënohej me 20 vjet burg për vrasjen e Gjuzit. Vetë Nehat Kulla nuk e ka pranuar asnjëherë vrasjen e ish-shoferit të ish-zv/ ministrit të Arsimit. Ai e dërgoi çështjen e tij deri në Gjykatën Kushtetuese, por pa arritur që të fitojë pafajësi.
Nehat Kulla vdiq në vitin 2020.
/noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






