Transmetuar më 08-09-2015, 09:04

Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar në një lokal në Tiranë, pas një qitjeje me armë që pasoi kontroll të gjerë policor me pasojë zbulimin e problemeve të këtij biznesi me tatimorët.

Pikënisje e kësaj vale arrestesh, ishte 29 vjeçari Klodian Kulla, lindur dhe banues në Tiranë.

Policia tha sot se paraditen e djeshme, i riu ka qëlluar me armë zjarri në mjediset e brendshme të këtij lokali që ndodhet në rrugën “Xhanfize Keko”.

Në vendngjarje ka shkuar policia dhe ajo tha se u bë i mundur arrestimi në flagrancë i të riut Klodian Kulla, i cili tani akuzohet për “mbajtje pa leje e armeve të zjarrit dhe municionit luftarak “dhe “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”.

Gjithashtu po për këtë ngjarje janë arrestuar për veprën penale “Moskallëzim Krimi”, edhe Dilaver Qordja, 47 vjeç, Blerim Qordja, 21 vjeç, Fatjon Qordja, 30 vjeç, Ylli Qordja, 38 vjeç, Sokol Brahja, 33 vjeç, Shaban Piku, 21 vjeç dhe J. Duka,  19 vjeç, që të shtatë, lindur dhe banues në Tiranë.

Nga kontrolli i ushtruar këtij biznesi së bashku me hetimin tatimor u konstatua se lokali nuk ishte i pajisur me kasë fiskale dhe kishte punonjës të pasiguruar. Si rezultat janë arrestuar edhe tre persona: Bektash Islamaj, 36 vjeç, Lavdim Ismailaj, 32 vjeç dhe Drinush Ismailaj, 25 vjeç, që të tre, lindur dhe banues në Tiranë.

Policia tha se arrestimi i këtyre tre personave të tjerë është bërë për veprat penale “Fshehje e të ardhurave” dhe “Punësim i paligjshëm”, pasi në këtë club, nuk përdorej kasa fiskale dhe kishte punëtor të pasiguruar. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd