

Nëse shkon në ish Bllok, në plot dyqane dallon italianë që kanë ngritur bizneset e tyre aty. Bar-kafe, ushqim i shpejtë, restorante dhe shërbime të tjera kanë pushtuar rrugët e zonës më të shtrenjtë të Tiranës.
Po të futesh në TikTok a Instagram, të dalin duzina italianësh, kryesisht të rinj, që tregojnë si e kanë kthyer Shqipërinë në vatër biznesi komod dhe plot fitim
Kështu, vitet e fundit Shqipëria po ngjitet shpejt në listën e destinacioneve më tërheqëse për pensionistët italianë që zgjedhin të jetojnë jashtë vendit.
Ndërsa interesimi për vende si Portugalia është ulur ndjeshëm pas ndryshimeve në politikat fiskale, vendi ynë po shihet si një alternativë më e leverdishme falë kushteve ekonomike dhe jetesës së përballueshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, numri i shtetasve të moshës së tretë nga Italia që zhvendosen në vende të huaja është ulur me rreth 23.8% në periudhën 2018–2024. Megjithatë, Shqipëria është ndër vendet e pakta që ka shënuar rritje të theksuar.
Vetëm nga viti 2019 deri në 2023, rreth 200 pensionistë italianë kanë zgjedhur Shqipërinë – prej të cilëve 100 vetëm në vitin 2023. Duke pasur parasysh madhësinë e tregut dhe periudhën e shkurtër kohore, rritja konsiderohet e fortë dhe e qëndrueshme.
Pse Shqipëria po bëhet kaq tërheqëse?
– Zero tatim mbi pensionet e ardhura nga jashtë – një avantazh i vlefshëm që nga viti 2021.
– Kosto jetese e favorshme – sidomos qiratë dhe çmimet e banesave, të cilat mbeten më të ulëta se në shumë zona të Italisë.
– Klima mesdhetare – e përshtatshme për të moshuarit.
– Lidhje të shpejta me Italinë – fluturime të shpeshta dhe të përballueshme.
– Komunitete italiane në rritje – veçanërisht në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër.
Shqipëria shihet gjithnjë e më shumë si një version modern dhe i afërt i destinacioneve të njohura për pensionistët mesdhetarë, duke kombinuar koston e ulët të jetesës me afërsinë kulturore dhe gjeografike me Italinë.
Si krahasohet Shqipëria me vendet e tjera?
Spanja vazhdon të kryesojë me mbi 8,400 pensionistë italianë, sajë politikave fiskale dhe shërbimeve të zhvilluara.
Tunizia, e njohur prej vitesh për skemat e saj të favorshme, ka tërhequr rreth 1,000 italianë vetëm në pesë vitet e fundit.
Portugalia, dikur destinacioni kryesor, ka pësuar rënie të madhe të interesimit pasi hoqi skemat e reduktuara të tatimit për të ardhurit pas vitit 2024. Fluksi ka rënë me mbi 83% brenda pesë vitesh.
Pse ritmi i Shqipërisë është kaq i shpejtë?
Politika fiskale shumë konkurruese.
Rritje e sektorit të mjekësisë private me çmime të përballueshme.
Përmirësim i shërbimeve dhe i infrastrukturës së turizmit.
Treg banesash ende më i lirë se shumë vende të rajonit dhe BE-së.
Afërsi kulturore dhe gjuhë gjithnjë e më e njohur për vizitorët italianë.
Nëse trendi aktual vazhdon, ekspertët parashikojnë që Shqipëria mund të futet në top 3 destinacionet më të kërkuara nga pensionistët italianë brenda 5 viteve të ardhshme. /noa.al
Lexoni dhe: Deti, dimër i butë dhe pak taksa. Pensionistët italianë dhe “dolce vita” në Durrës: “S’kemi asnjë pendesë”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






