Transmetuar më 08-10-2023, 17:54

“Dolce vita” e pensionistëve italianë në Durrës: det (dhe pak taksa). “Nuk kemi pendesa”

nga Andrea Galli / gazeta Corriere della sera 

Ngrohtësi dhe kosto të ulëta; brenda një viti komuniteti është dyfishuar: “Fëmijët larg? Ka plot fluturime”.

Pushimet mbaruan, ishin të bukura, me të vërtetë — plazhe të sistemuara, shezlongë 5 euro dita, bare me staf që flet anglisht dhe me faturë gjithmonë, parkim falas si edhe wi-fi, zona për fëmijët — por tani mjaft, në Shqipëri shihemi vitin tjetër, të dashur italianë, paqe dhe të mira, por të gjithë në shtëpi.

Në vend të kësaj, jo: në Shqipëri po qëndrojnë, sepse pensionistët tanë po vijnë të jetojnë këtu. Aty ku dikur shtrihej një pyll i gjerë me pisha, në zonën e Plepas, buzë detit të Durrësit, një orë larg nga Tirana, ngrihen pallate banimi të marra me qira ose të blera nga shtatëdhjetëvjeçarë nga Piemonte, Lombardia, Veneto. Dhe të mos krijohet ideja, theksojnë pa pushim vetë të interesuarit, e një eksodi njerëzish të varfër apo të pashpresë: “Kemi qenë sipërmarrës, tregtarë, komandantë të Alitalias, drejtues bankash, kuadër menaxherial”. Ata kanë pensione të mira. Që nuk duan t’ia dhurojnë thjesht fiskut. Duke shijuar jetën.

Shpenzime të ulëta

Carmine Iampietro, 73 vjeç, ish-pronar i një servisi motoçikletash në Novara, është në fakt kryetari i komunitetit. Ai mbërriti shumë vite më parë bashkë me bashkëshorten, shqiptare, dhe hapi rrugën. Ka luftuar dhe ka rezistuar, lufton dhe reziston, do të luftojë dhe do të rezistojë: sfida e radhës është marrja e një sigurimi shëndetësor për komunitetin e tij. Ndoshta vetëm ky element mungon. Përndryshe, në Shqipëri nuk paguhen taksa mbi pensionin, e njëjta gjë vlejet për apartamentet — qofshin një ose dhjetë —, për makinën nuk ekziston taksa e qarkullimit (bollo), shpenzimet e pallatit nuk e kalojnë mesatarisht 100 euro në vit, një muaj me të gjitha të përfshira për dritat, ujin, internetin dhe telefonat — nëpër shtëpi gazi nuk përdoret — kërkon 90 euro; pastaj varet nga pozicioni, por me 300 euro merr me qira një banesë të mirë dhe duke filluar nga 800 euro për metër katror blen një apartament. Pas kësaj, ose ndoshta në fillim…

Le të dëgjojmë Carminen, kreun e Shoqatës së Pensionistëve Italianë në Shqipëri, APIA: “Ne mund të lëmë dyert e shtëpisë hapur, askush nuk hyn brenda. Nuk ka çarje çantash, nuk ka grabitje, nuk ka sulme — pra, nuk ka mikrokriminalitet; ne ndjehemi të qetë dhe të mbrojtur, kemi sigurinë se mund të lëvizim lirisht, të qetë. Në Itali këto gjëra i ëndërron, qoftë në qytet apo në provincë”.

E pra, nuk ka shumë vend për diskutim, aq më tepër për një të moshuar; dhe me gjithë kundërshtimet, ne i themi se grupet e trafikantëve shqiptarë kanë pasur një rritje marramendëse, janë ndër drejtuesit e trafikut global dhe gjenerojnë fitime që reinvestohen në resorte e restorante; më shumë se një raport hetimor e ka quajtur Shqipërinë një “narco-shtet”; por kot vazhdojmë, qytetarit i intereson vetëm siguria e përditshme. Domethënë që askush të mos të të rrëmbejë portofolin duke të shtyrë përtokë. Dhe, me gjithë dallimet e domosdoshme, në këto reflektime ndikon edhe mungesa pothuajse totale e emigracionit të pakontrolluar, endacak dhe herë pas here problematik, për faktin e thjeshtë se Shqipëria nuk është vend destinacioni. Madje, “pa folur për të djathtë ose të majtë, nëse nuk rri drejt, e paguan. Ka shkelje, ka dënim. Ka mbaruar muhabeti”.

Mjekë specialistë nga Veneto

Për ta thënë të vërtetën, edhe Tirana, e re dhe plot gjallëri, megjithëse thith rreth një milion banorë (një e treta e popullsisë së vendit) me trafikun e saj të zakonshëm të rëndë që nuk zbutet as nga biçikletat dhe monopatinët, duket e lirë nga rreziqet: kjo nuk është statistikë, por dy netë të kaluara duke endur qytetin e vërtetuan, edhe në rrugica vajzat dhe gratë ecin të qeta, nuk shfaqet kurrë një gjest shqetësimi për ndonjë hije të panjohur që shfaqet papritur, të vetmet sirena janë ato të ambulancave, dhe nëse ndonjëherë dikush do t’i kapte çantën një kalimtareje, të tjerët rreth tij do të hidhnin menjëherë për ta ndalur: “Tek ne ndalojnë të filmojnë me celular ndërsa këtu ndërhyjnë, ka shumë solidaritet, shumë ndjenjë qytetare”.

Për hir të së vërtetës, edhe në Shqipëri ka ngjarje të rënda, larje hesapesh, hasmëri të vjetra; tema që interesojnë ndoshta një kriminolog, jo të moshuarit. Në vitin 2022 rezultonin 1.700 të regjistruar në AIRE, regjistri i banorëve jashtë vendit; këtë vit jemi tashmë te 4 mijë; Carmine merr çdo ditë të paktën tre telefonata nga bashkatdhetarë që pyesin për avantazhet e një transferimi dhe përgatiten për nisjen; dhe ai, Carmine, përmend edhe marrëveshjet me një klinikë private që sjell nga Veneto mjekë kryesorë për vizita të specializuara. Diagnostika shqiptare, na thonë miq nga Tirana, ka qenë gjithsesi e nivelit të lartë prej kohësh: listat e pritjes janë të kufizuara, shpesh nuk ke nevojë të prenotosh, shkon dhe të shikojnë menjëherë në vend të pas tetë muajsh. Duhet theksuar se pensionistët tanë shihen pak si VIP: paga mesatare shqiptare sillet rreth 500 euro (korrupsioni është i përhapur), ndërsa ata jetojnë rehat… Është loja e roleve, dhe të moshuarit, siç pritet, krijojnë rreth vetes edhe mundësi të tjera. Për shembull, nuk është e nevojshme të emigrosh në Itali për të punuar si kujdestare apo pastruese, puna ndodhet këtu. E njëjta gjë vlen për fizioterapistët, diabetologët, infermierët, urologët, edhe pse të rinjtë shqiptarë që studiojnë në Itali, sapo munden, ikin drejt Gjermanisë ose Evropës së Veriut.

“Unë dhe macja ime”

“Ne jemi një vend i ‘vdekur’ që rëndon mbi ata që kanë punuar”, insistojnë italianët e Shqipërisë; “ju jeni një vend i vdekur që nuk shpërblen meritën”, insistojnë shqiptarët shpesh me vite të gjata në Itali, gjatë bisedave që rrallëherë zhvillohen në celularë, sepse zbatohet ende parimi i vjetër i të qenë së bashku, të shikuarit në sy, të pirjes së një kafeje në shoqëri, të vëzhgimit të njerëzve, të vlerësimit të tyre.

Mes Adriatikut në njërën anë dhe maleve të ashpra në tjetrën, ajri është i pastër; në Plepa, uji i detit ende ngrohet, por për këtë punë temperaturat nuk bëhen ekstreme as në dhjetor. E qartë, ekziston distanca fizike nga vendlindja, largësia nga fëmijët dhe nipërit… Ose ndoshta jo. Përveç fluturimeve të shumta me kosto të ulët, në fund të muajit mbërrin edhe Ryanair, që ka zgjedhur të investojë në të ardhmen e Shqipërisë, e cila nga ana e saj është Evropë, por jashtë BE-së; edhe nëse një ditë do të hyjë, nuk do të ndodhë para dhjetë vitesh, por nuk është se shqiptarët e dëshirojnë me ngulm, kanë frikë mos përfundojnë në një cikël të pafavorshëm ku marrin goditje. Pra, kështu si është, është mirë? Për pensionistët, po, dhe me shumicë. Ja Gabriella Mondoni: “Jam e ve, kam 76 vjeç, kam lindur në Liqenin Maggiore, kam qenë sekretare, dado, kuzhiniere. U lodha, u lodha dhe u lodha nga Italia, ndaj një mëngjes mora patericat, karrigen me rrota, valixhet, macen dhe hop: Durrës. Vuaj nga probleme të rënda në kocka, më duhej një vend me det dhe diell, qetësi, kosto të ulëta mjekësore: vizitat nuk i kalojnë 30 euro. E kam të vështirë të ec, por nëse nuk më zë gjumi, nuk më intereson, dal, shkoj ngadalë drejt detit, ulem dhe relaksohem. Pa u shqetësuar. Dhe gëzohem për ato çaste lumturie”.

Foto: Corriere

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit