Transmetuar më 11-11-2025, 20:39

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar pas njoftimit se ndaj saj është dorëzuar aktakuzë nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në lidhje me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore.

Në një reagim publik, Hajdari tha se është njoftuar nga avokati i saj për aktakuzën, ndërsa shtoi se do të deklarohet më gjerësisht për media sapo ta ketë në dorë dokumentin e plotë.

“Të nderuar qytetarë, sapo u njoftova nga avokati im për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media,” – shkroi Hajdari.

Ajo theksoi se ndihet krenare për punën e saj si ministre, duke theksuar rolin e saj në sigurimin e rezervave shtetërore të mallrave esenciale në një periudhë të ndjeshme për vendin.

“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.”

Reagimi i saj vjen pak orë pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria, ku Hajdari akuzohet, bashkë me dy zyrtarë të tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë shtetërore, në një rast që ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm buxhetit të Kosovës. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit