

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe dy zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie, lidhur me keqpërdorimin e dyshuar të rezervave shtetërore gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2022.
Sipas Prokurorisë, Hajdari dhe zyrtarët me inicialet I.L. dhe H.G. dyshohen se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi për persona të tjerë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm prej rreth 3 milionë eurosh.
Në aktakuzë thuhet se të tre zyrtarët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa shtetasi R.M. akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës.
Sipas hetimeve, zyrtarët kanë zbuluar të dhëna të klasifikuara për vendndodhjen e rezervave shtetërore, edhe pse ishin në dijeni se ky informacion përbënte sekret shtetëror. Më pas, i pandehuri R.M. dyshohet se ka ndërmjetësuar dhe ndikuar në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë për furnizimet me mallra të rezervave shtetërore.
Ministrja Hajdari ka konfirmuar se është njoftuar për aktakuzën dhe ka deklaruar se, sapo ta ketë në dorë dokumentin e plotë, do të japë një reagim më të gjerë.
Ajo ka theksuar se ndihet “krenare për punën si ministre në periudhën më të vështirë, kur siguruam rezerva shtetërore me produkte esenciale për qytetarët gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”.
Në hetimet e këtij rasti, Hajdari është marrë disa herë në pyetje nga Prokuroria Speciale, por ka zgjedhur të mbrohet në heshtje. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti është thirrur si dëshmitar, por nuk ka pranuar të paraqitet në Prokurori, duke kërkuar që dëshminë ta japë në ambientet e Kryeministrisë.
Ky rast ka nisur pas publikimit të audio-incizimeve ku pretendohej se një sasi vaji e blerë në Poloni dhe grurë i blerë në Turqi nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Pas këtyre zbulimeve, në vitin 2023 u zhvilluan bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku u sekuestruan dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Hajdari ka mohuar akuzat, duke theksuar se të gjitha blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, ndërsa kryeministri Kurti ka dalë publikisht në mbrojtje të saj, duke deklaruar se “nuk ka pasur asnjë korrupsion apo keqpërdorim” në këtë proces. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






