Transmetuar më 10-11-2025, 18:58

ANALIZË- INVESTIGIMI I FOLLOW THE MONEY/ Si u kthye Shqipëria në “shtetin e drogës” të Evropës – Rama, mafia dhe heshtja e BE-së

Një raport i ri i publikuar nga rrjeti i gazetarisë hulumtuese Follow the Money (FTM) zbulon se mafia shqiptare ka marrë kontrollin e tregut të kokainës në Evropë, ndërsa analizon mënyrën se si grupet kriminale kanë lulëzuar gjatë 12 viteve në pushtet të Edi Ramës, dhe pse Bashkimi Evropian mbyll sytë përballë këtij realiteti.

Rama, imazhi pro-BE dhe realiteti në terren

Kryeministri Edi Rama siguroi një mandat të katërt radhazi në zgjedhjet e fundit parlamentare, diçka e paprecedent në Shqipëri. Në fushatën e tij ai u paraqit si mbështetës i fortë i integrimit në BE dhe si kampion i luftës kundër korrupsionit dhe narkotrafikut.

Në shtator, qeveria e tij madje krijoi një Ministri të Inteligjencës Artificiale, me synimin që vendi të bëhej “një shtet ku tenderat publikë janë 100% pa korrupsion”.

Por sipas FTM, ky imazh është shumë larg realitetit. Në një hetim të gjerë me dokumente dhe dëshmi, rrjeti tregon si krimi i organizuar është forcuar nën qeverisjen e Ramës, duke zgjeruar ndikimin e tij brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Një ekonomi e brishtë, terren i përshtatshëm për krimin

Raporti vë në dukje se dobësia ekonomike e Shqipërisë e bën vendin të prekshëm ndaj rrjeteve kriminale:

20% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë,

30% e të rinjve janë të papunë,

paga mesatare arrin rreth 600 euro në muaj.

Këto kushte, sipas FTM, shfrytëzohen nga grupet kriminale që investojnë në pasuri të paluajtshme me çmime të ulëta për të pastruar para dhe përdorin biznese lokale si maskë ligjore.

Në raport theksohet gjithashtu se korrupsioni është i dukshëm për qytetarët shqiptarë – Shqipëria renditet në vendin e 80-të nga 180 shtete në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, një nga pozicionet më të ulëta në Evropë.

Si u bë Shqipëria qendër e trafikut të drogës

Sipas burimeve të FTM, grupet shqiptare të krimit të organizuar jo vetëm që kontrollojnë tregun vendas, por kanë krijuar rrjete të fuqishme në gjithë Evropën.

Në Itali, autoritetet raportojnë rritje të konsiderueshme të sasisë së kanabisit dhe kokainës të lidhura me grupet shqiptare. Në operacionin “Tornado” në qytetin Brescia, në shtator, u arrestuan mbi 60 persona pas një hetimi katërvjeçar që çoi në sekuestrimin e 300 kg kokainë, me vlerë mbi 60 milionë euro.

Prokurori italian Nicolo Gratteri, specialist në hetimin e mafies, deklaroi për FTM: “Gjatë çështjes ‘Sky ECC’ ku u zbulua rrjeti i komunikimit të grupeve kriminale, kuptuam përmasat e vërteta të mafies shqiptare. Ata kanë baza logjistike që shtrihen nga Shqipëria deri në Belgjikë, përmes Gjermanisë.”

Sipas tij, disa grupe shqiptare kontrollojnë portet kryesore të Evropës, si Antwerp dhe Rotterdam, duke mundësuar transportin e qindra kilogramëve droge në një udhëtim të vetëm.

Dominimi i tregut evropian të kokainës

Në Spanjë, autoritetet sekuestruan në vitin 2023 plot 118 ton kokainë, krahasuar me vetëm 37 ton pesë vite më parë. Në Britaninë e Madhe, Agjencia Kombëtare e Krimit raporton se mafia shqiptare kontrollon tashmë pjesën më të madhe të tregut të kokainës, i cili është më i madhi në Evropë.

Sipas raportit të Europol-it për vitin 2024, mafia shqiptare renditet ndër pesë organizatat kriminale më të rrezikshme në Evropë, për trafikun e kokainës dhe kanabisit.

Edhe Fatjona Mejdini, drejtoreshë e Observatorit të Europës Juglindore në Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar, paralajmëron: “Mafia shqiptare është sot një nga më të fuqishmet dhe më kërcënuese në Evropë.”

Modeli “biznesor” i mafies shqiptare

Sipas FTM, suksesi i mafies shqiptare qëndron në strategjinë e saj tregtare. Në vend që të punonin përmes ndërmjetësve, ata shkuan drejtpërdrejt në Amerikën Latine, në vendet prodhuese të kokainës, duke lidhur marrëveshje të drejtpërdrejta me kartelet lokale.

Dokumentaristi Matt Shea, i cili ka investiguar tregtinë e kokainës shqiptare, tregon se shqiptarët u ofruan karteleve kolumbiane ndarje fitimi 50–50, ndryshe nga marrëveshjet e zakonshme ku fitimi për trafikantët evropianë ishte shumë më i ulët.

Kjo risi në modelin e biznesit u dha atyre kontroll më të madh, fitime më të mëdha dhe lidhje direkte me burimin e drogës, duke i bërë një forcë të frikshme në tregun global të kokainës.

Heshtja e Evropës dhe mbështetja ndaj Ramës

Megjithëse autoritetet evropiane janë të vetëdijshme për ndikimin në rritje të mafies shqiptare, FTM akuzon Bashkimin Evropian për heshtje dhe pasivitet. Sipas raportit, kritikat ndaj Ramës janë të rralla, ndërsa BE shpesh lavdëron “përparimin” e Shqipërisë në reformat e saj.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, thuhet se Shqipëria ka bërë “përparim të paprecedent”, megjithëse në tekstin e plotë pranohet se “korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm”.

Një ndër mbështetëset më të forta të Ramës është Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila e ka quajtur Shqipërinë “një partner strategjik”. Kjo, sipas FTM, lidhet me pozicionin gjeostrategjik të vendit – kufirin me Greqinë, afërsinë me Italinë dhe gatishmërinë për të strehuar refugjatë apo ofruar baza ushtarake për NATO-n.

Në vizitën e saj në Tiranë në tetor 2024, von der Leyen tha: “Edi i dashur, Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ju falënderoj për punën tuaj të palodhur, përkushtimin dhe miqësinë tuaj.”

Sipas FTM, këto mesazhe forcojnë pozitat politike të Ramës, ndërsa në terren, krimi i organizuar dhe korrupsioni vazhdojnë të lulëzojnë.

Raporti përmbyllet me një paralajmërim të qartë: Shqipëria, ndërkohë që shfaqet si “histori suksesi” për Brukselin, në realitet po kthehet në një qendër të fuqishme të trafikut të drogës në Evropë, ku politika, ekonomia dhe krimi i organizuar ndërthuren ngushtë, dhe Evropa zgjedh të mos shohë.

E PLOTË Investigimi i Follow the Money: Brukseli mbyll sytë, ndërsa ‘perandoria e drogës’ shqiptare kërcënon Evropën

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit