

Një hetim i gjerë i rrjetit Follow the Money, në bashkëpunim me median BLAST, sugjeron se mafia shqiptare është kthyer në një prej fuqive më të mëdha të trafikut të kokainës në Evropë, ndërsa Brukseli mbyll sytë dhe vijon të mbështesë qeverinë e Edi Ramës.
Nga ministritë te rrugët e drogës
Në qendër të hetimit qëndron ish-oficeri i policisë Dritan Zagani, i cili denoncoi lidhjet mes ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe rrjeteve të drogës. Zagani u burgos dhe më vonë kërkoi azil në Zvicër, duke deklaruar se “Shqipëria është kthyer në një narco-shtet”. Tahiri u dënua vite më vonë, ndërsa qeveria nuk ndërmori masa reale për të frenuar ndikimin e mafies.
Fuqizimi i rrjeteve të krimit
Hetimi tregon se grupet shqiptare të krimit të organizuar kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në Itali, Spanjë, Belgjikë dhe Britani të Madhe, duke u bërë një fuqi e barabartë me mafien italiane.
Në Itali, operacioni Tornado zbuloi një rrjet shqiptarësh që kontrollonte 300 kg kokainë me vlerë 60 milionë euro, ndërsa në Spanjë u sekuestruan 118 ton kokainë në 2023, një rritje katërfish brenda pesë vitesh.
Sipas Europol, mafia shqiptare është sot një nga pesë organizatat më të rrezikshme në Evropë.
Lidhje politike dhe familjare
Artikulli përfshin akuza edhe ndaj figurave të larta të qeverisë shqiptare, përfshirë Taulant Ballën dhe Olsi Ramën, të cilët janë lidhur me rrjete trafikimi dhe korrupsioni, por janë mbrojtur politikisht. Në disa raste, sipas dokumenteve të hetimit, vetë kryeministri Rama ka ndërhyrë për të mbrojtur aleatët e tij.
Drejtësi nën kontroll politik
Pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare për reformën në drejtësi dhe SPAK-un, hetimi tregon se sistemi i drejtësisë mbetet i kapur nga politika.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, tani në azil në Zvicër, deklaron se prokurorët përzgjidhen nga njerëz të afërt me Ramën, duke u përdorur për të ndëshkuar kundërshtarët politikë.
Modeli ekonomik i mafies
Shqiptarët kanë ndërtuar një model unik biznesi duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me kartelet e Amerikës Latine, pa ndërmjetës.
Ata ndajnë fitimet 50–50 me prodhuesit kolumbianë, dhe përdorin kompani bananesh si mbulesë për kontrabandën e kokainës drejt Evropës.
Ky model u jep fitime më të mëdha dhe kontroll më të gjerë mbi tregun evropian të drogës.
Heshtja e Brukselit
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Bashkimi Evropian e vlerëson Shqipërinë si “histori suksesi” në rrugën e anëtarësimit.
Ursula von der Leyen e ka përgëzuar publikisht Ramën për “përparime historike”, gjë që sipas analistëve lidhet me pozicionin strategjik të Shqipërisë për NATO-n dhe migracionin.
Por ish-zyrtarët shqiptarë dhe ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë: “Ndërsa Evropa e quan reformë, realiteti është një shtet i kontrolluar nga krimi, ku pushteti, paraja dhe politika janë bërë një.”
Sipas Follow the Money, Shqipëria e sotme është një “laborator i krimit” në zemër të Ballkanit, ku rrjetet e drogës, korrupsioni politik dhe interesat ndërkombëtare bashkohen në një sistem të heshtur — ndërsa Evropa zgjedh të mos shohë. Brukseli mbyll sytë, ndërsa ‘perandoria e drogës’ shqiptare kërcënon Evropën
E plotë/ Brukseli mbyll sytë, ndërsa ‘perandoria e drogës’ shqiptare kërcënon Evropën
Një hetim i rrjetit gazetaresk Follow the Money zbulon se si mafia shqiptare është kthyer në një nga forcat më të fuqishme të trafikut të drogës në Evropë, ndërsa Brukseli vazhdon të mbështesë qeverinë e Edi Ramës, pavarësisht akuzave për korrupsion dhe lidhje me rrjetet kriminale.
Pse ka rëndësi?
Sepse, sipas autorëve, krimi i organizuar është shkrirë me shtetin shqiptar, duke minuar reformat për drejtësi dhe demokraci, ndërsa Bashkimi Evropian e paraqet Shqipërinë si një “histori suksesi” drejt anëtarësimit.
Si u hetua?
Artikulli bazohet në dokumente konfidenciale, intervista me prokurorë dhe oficerë policie, si dhe në bashkëpunim me median hetimore BLAST.
—
Ishte një mbrëmje e ftohtë tetori në qytetin mesdhetar të Fierit, në jugperëndim të Shqipërisë, kur policia ndaloi një Audi A8 ngjyrë të zezë. Prej javësh, oficerët kishin vëzhguar automjetin, pasi dyshohej se përdorej nga trafikantë droge. Atë natë të tetorit 2013, inspektori i policisë Dritan Zagani urdhëroi ekipin e tij ta dërgonte makinën në komisariat.
Por, sapo mbërritën, Zagani kuptoi se gjërat nuk do të ishin aq të thjeshta – eprori i tij ndaloi kontrollin e automjetit. Arsyeja? Sipas raportimeve, makina i përkiste asokohe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, një nga figurat më të fuqishme politike të vendit.
“Ajo që kisha frikë më shumë, ndodhi. Vendi im është kthyer në një shtet të drogës.”
Në vend që të hetonin rastin e dyshuar për trafik droge, prokurorët ngritën akuza ndaj Zaganit vetë, duke e akuzuar për tejkalim kompetencash.
—
Tani, më shumë se 10 vite më vonë, nga një vend i sigurt me identitet të ri, Zagani tregon për Follow the Money se çfarë ka parë gjatë karrierës së tij në polici: “Si krimi i organizuar u përfshi gjithnjë e më thellë në shtetin shqiptar.”
I veshur thjeshtë, me kapelën të ulur mbi ballë, ai flet me zë të shpejtë dhe ton të vendosur: “Ajo që kisha frikë më shumë ka ndodhur,” – thotë ai, duke pirë kafenë në një oborr të qetë në Zvicër. – “Vendi im është kthyer në një narco-shtet.”
Sipas Zaganit, pjesa më e madhe e infiltrimit të mafies shqiptare në shtet ka ndodhur nën drejtimin e kryeministrit aktual Edi Rama.
—
Rama dhe imazhi pro-evropian
Edi Rama arriti të sigurojë për Partinë Socialiste një mandat të katërt radhazi, diçka e paprecedent në historinë e vendit, në zgjedhjet kombëtare të këtij viti – zgjedhje që vëzhguesit ndërkombëtarë i cilësuan me parregullsi.
Një pjesë e rëndësishme e fushatës së Ramës ishte përshfaqja si politikan pro-BE dhe mbrojtës i shtetit ligjor. Në pamje të parë, ai dukej si përkrahës i fortë i luftës kundër korrupsionit dhe drogës.
Në shtator, qeveria e tij krijoi madje edhe një Ministër të Inteligjencës Artificiale, me qëllimin që Shqipëria të bëhej “një vend ku tenderat publikë janë 100% të pastër nga korrupsioni”.
Por, në realitet, sipas hetimit të Follow the Money në bashkëpunim me median BLAST, grupet e krimit të organizuar kanë lulëzuar gjatë më shumë se një dekade të qeverisjes së Ramës – me pasoja të rënda për pjesën tjetër të Evropës.
—
Në vitet e fundit, Evropa ka përjetuar një rritje të ndjeshme të trafikut të drogës të kontrolluar nga mafia shqiptare, me operacione rekord të kapjeve ndërkombëtare.
Sipas dëshmive të prokurorëve, policëve dhe ekspertëve, mafia shqiptare ka zgjeruar rrjetet e saj në shumë vende të Evropës, ndërsa Rama ka bërë shumë pak për të frenuar ndikimin e tyre.
Dokumente konfidenciale, që Follow the Money i ka parë, mbështesin këto pretendime.
—
Ky zhvillim është kthyer në një problem të madh për Italinë, ku rrjetet shqiptare të drogës po fitojnë gjithnjë e më shumë terren, ndërsa në Bruksel lindin pyetje: Pse Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndërkohë që vendi përballet me akuza të tilla për korrupsion dhe lidhje kriminale?
Zyra e kryeministrit shqiptar i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si sulme politike pa bazë faktike.
—
Infiltrimi në qeveri
Sipas ish-oficerit të policisë Dritan Zagani, krimi i organizuar ka depërtuar në çdo nivel të shtetit shqiptar. Ai thekson se ekonomia e brishtë e vendit e ka bërë Shqipërinë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj ndikimit të grupeve kriminale.
“Grupet kriminale kanë depërtuar në çdo fushë të shtetit,” – thotë Zagani.
Rreth 20% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, 30% e të rinjve janë të papunë, ndërsa paga mesatare mbetet rreth 600 euro në muaj.
Këto kushte, sipas tij, janë terren i përsosur për pastrim parash dhe investime të paligjshme në prona apo biznese vendase që shërbejnë si mbulesë ligjore për aktivitetet kriminale. “Mafia shqiptare po fiton terren me ritme alarmante,” – paralajmëron Zagani.
Por ndikimi i mafies nuk ndalet në ekonomi. Ai shprehet se rrjetet kriminale kanë vendosur njerëzit e tyre në qeveri dhe në drejtësi, duke e bërë sistemin praktikisht të kapur.
Në rastin e konfliktit të tij me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili dyshohej për lidhje me trafikantë droge, kryeministri Edi Rama zgjodhi të mbështeste Tahirin. Vetëm në vitin 2019, dy vite pasi Guardia di Finanza e Italisë publikoi prova që implikonin Tahirin direkt në trafik ndërkombëtar droge, ai u dënua me burg.
Ndërkohë, vetë Zagani, pasi kaloi disa muaj në burg në Tiranë në vitin 2015, u lirua në pritje të gjyqit dhe u arratis drejt Zvicrës, ku më vonë mori azil politik.
Në Shqipëri ai është dënuar në mungesë me 7 vite burg, dhe nëse kthehet, rrezikon arrestim të menjëhershëm.
—
Mbrojtja e bashkëpunëtorëve të afërt
Rasti i Tahirit nuk është i vetmi. Në fillim të vitit 2025, një tjetër figurë e rëndësishme e qeverisë, ish-ministri i Brendshëm dhe ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, u përfshi në akuza për korrupsion.
Gjatë kohës që mbante detyrën, Balla ishte gjithashtu drejtues politik i Partisë Socialiste për diasporën, përgjegjës për bashkëpunimin me shqiptarët jashtë vendit. Por bashkëpunëtorët e tij u regjistruan në përgjime duke u premtuar rreth 60 euro për çdo votë nga diaspora në Britani të Madhe. Kjo është domethënëse, pasi rreth 2.5 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit – thuajse po aq sa popullsia brenda kufijve.
Emri i Ballës ka dalë në sipërfaqe edhe në hetimet ndërkombëtare të rrjetit të komunikimit të fshehtë SKY ECC, që përdorej nga organizata kriminale në gjithë botën.
Pas dekriptimit të mesazheve, Ballës iu gjetën kontakte me trafikantë droge, sipas transkripteve të publikuara nga media shqiptare “Lapsi”. Megjithatë, Rama e mbrojti publikisht dhe e mbajti në post.
—
Zëdhënësja e qeverisë shqiptare, Manjola Hasa, i quajti akuzat “të pavërteta dhe qesharake”, duke thënë: “Këto janë shpifje politike, jo fakte. Nuk mund të vazhdojmë të njollosim njerëz të pafajshëm dhe të cënojmë dinjitetin e tyre me trillime.”
Por perceptimi publik tregon një tjetër realitet: Në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, Shqipëria renditet në vendin e 80-të nga 180 vende, ndër më të korruptuarat në Evropë.
—
Mbrojtja e familjarëve të Ramës
Në janar 2024, një deputet i opozitës akuzoi vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën, për përfshirje në ndërtimin e një laboratori kokaine.
Megjithëse Rama e mbrojti publikisht të vëllain, të dhënat nga sistemi kufitar, që ka parë Follow the Money, tregojnë se ai drejtonte një automjet që më vonë u identifikua si pjesë e një rrjeti mafioz lokal.
Në janar të po atij viti, SPAK – struktura e posaçme kundër korrupsionit në Shqipëri – e shpalli Olsi Ramën të pafajshëm, duke mbyllur çështjen.
Në shkurt 2024, në Shtetet e Bashkuara u dënua ish-agjenti i FBI-së Charles McGonigal, pasi kishte marrë një ryshfet prej 225.000 eurosh nga një bashkëpunëtor i Ramës, për të hetuar rivalë politikë të tij në Tiranë.
Një qendër që lulëzon në Evropë
Ndërsa grupet kriminale shqiptare vazhdojnë të forcohen në vend, rrjetet e tyre janë zgjeruar në të gjithë Evropën, kanë konfirmuar për Follow the Money zyrtarë të agjencive të zbatimit të ligjit. “Mafia shqiptare po fiton terren me shpejtësi të frikshme. Jo vetëm për shkak të sasive të mëdha të drogës që trafikojnë apo numrit të njerëzve të përfshirë, por edhe për shkak të aftësisë së tyre për t’u organizuar në nivel ndërkombëtar,” – tha një përfaqësues i Guardia di Finanza në Brescia dhe Romë, që ka hetuar disa raste të mëdha të trafikimit shqiptar të drogës. “Nga ajo që shohim, ata janë të paktën po aq të fuqishëm sa mafiet italiane.”
Në Itali, policia ka rritur ndjeshëm kapjet e kanabisit dhe drogërave të forta të lidhura me grupet shqiptare. Në shtator 2024, Operacioni “Tornado” në qytetin Brescia (veri të Italisë) çoi në mbi 60 arrestime, pas një hetimi që kishte zgjatur katër vjet. Në total, u sekuestruan 300 kilogramë kokainë, me vlerë mbi 60 milionë euro. “Të gjithë bosët ishin shqiptarë,” – deklaroi një oficer italian për Follow the Money. – “Ata i drejtonin gjithçka nga larg, pa qenë asnjëherë fizikisht në Itali.”
Sipas tij, grupi kriminal pastronte paratë përmes një rrjeti kompanish fiktive, duke qarkulluar rreth 375 milionë euro nëpër Europën Lindore dhe Kinë, përpara se fondet të ktheheshin në Shqipëri.
Në mars 2025, policia italiane arrestoi katër shtetas shqiptarë në Bolonjë, të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine, marijuane dhe hashashi me vlerë rreth 5 milionë euro, të sjella nga Holanda drejt Italisë.
—
Rrjetet nga Shqipëria deri në Belgjikë
Sipas prokurorit italian Nicolo Gratteri, autoritetet kuptuan përmasat reale të mafies shqiptare gjatë hetimeve të çështjes SKY ECC, e cila përfshinte edhe ish-ministrin Taulant Balla. “Zbuluam se ata ishin jashtëzakonisht aktivë. Kanë baza logjistike që shtrihen nga Shqipëria deri në Belgjikë, përmes Gjermanisë,” – tha ai.
Pas një hetimi të madh që nisi në vitin 2021, më shumë se 1.000 persona u dënuan, ndërsa u sekuestruan rreth 179 milionë euro pasuri të përfituara nga aktivitetet kriminale.
Në një rast, pjesëtarë të mafies shqiptare vendosën një shpërblim prej 1 milion eurosh mbi kokën e një gjyqtari belg, që drejtonte hetimet kundër tyre. “Sot këto grupe kontrollojnë portet e Antwerp-it dhe Rotterdam-it,” – shtoi Gratteri. – “Ata mund të fusin në Evropë qindra kilogramë kokainë në një udhëtim të vetëm.”
—
“Një nga mafiet më të rrezikshme në Evropë”
Në Belgjikë, policia ka zbuluar se plantacione të tëra kanabisi janë nën kontrollin e grupeve shqiptare. Në prill 2025, policia belge bastisi një plantacion kanabisi që, sipas raporteve, drejtohej nga një rrjet italo-shqiptar.
Sipas raportit të Europol për vitin 2024, mafia shqiptare renditet ndër pesë grupet kriminale më kërcënuese në Evropë, për trafikun e kokainës dhe kanabisit.
Në të njëjtin drejtim shkon edhe Fatjona Mejdini, drejtoreshë e Observatorit të Evropës Juglindore pranë Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar, e cila tha për FTM: “Ata janë një nga mafiet më të rrezikshme në Evropë.”
—
Dominimi në tregjet e drogës të Evropës Perëndimore
Sipas të dhënave të SPAK, vetëm në një vit janë identifikuar 16 grupe të ndryshme shqiptare të krimit të organizuar aktive në Evropë.
Në Britaninë e Madhe, Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) raportoi se shqiptarët kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut të kokainës – më të madhin në kontinentin evropian.
Ndërkohë, në Spanjë, një nga pikat kyçe të hyrjes së kokainës nga Amerika Latine, kapjet kanë arritur nivele rekord: vetëm në nëntor 2024, autoritetet spanjolle kapën 13 ton kokainë në portin e Algeciras, të gjitha të lidhura me rrjete shqiptare. Në total, gjatë vitit 2023, u sekuestruan 118 ton kokainë, nga vetëm 37 ton pesë vite më parë.
Sipas Agjencisë Evropiane të Drogës, kapjet e kokainës në portet evropiane janë rritur me afro 400% midis 2012 dhe 2021, ndërsa OKB (UNODC) raporton se furnizimi global i kokainës është në nivelet më të larta historike.
—
Drejtësia jo e pavarur
Sipas Dritan Zaganit, shteti shqiptar ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi drejtësinë për ta dënuar atë, një praktikë që sipas tij tregon se sistemi gjyqësor nuk është i pavarur. Dhe nuk është i vetmi që e mendon kështu.
Gjatë presidencës së Barack Obama-s, agjencia amerikane USAID investoi 27 milionë dollarë për të financuar reformën në drejtësi, me qëllim ndarjen e politikës nga sistemi gjyqësor.
Në vitin 2016 u krijua një strukturë e re për të hetuar krimet më të rënda dhe korrupsionin e nivelit të lartë: SPAK – Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në teori, ajo duhej të ishte një institucion i pavarur nga qeveria.
Por, sipas Follow the Money, kjo rezultoi në efektin e kundërt. Në vend që të forconte pavarësinë e drejtësisë, SPAK është kthyer në një instrument që Rama mund ta përdorë kundër rivalëve politikë. “Vendi është i kalbur nga korrupsioni dhe qeveriset nga Rama dhe rrethi i tij i ngushtë,” – deklaron për Follow the Money Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-ministër Financash i Shqipërisë.
Ahmetaj shpjegon se prokurorët përzgjidhen nga një panel njerëzish të emëruar nga parlamenti, ku shumica është pro qeverisë, çka i jep Ramës ndikim direkt mbi strukturën që duhet ta hetojë. “Kur sheh një prokuror që supozohet të fitojë 800 euro në muaj duke drejtuar një Maserati, e kupton që diçka nuk shkon,” – shton ai.
—
Rasti Ahmetaj
Duke folur nga një tarracë e vogël në një rrugë të qetë në Zvicër, ku ndodhet prej vitit 2023, Ahmetaj rrëfen se Rama ka përdorur drejtësinë për të eliminuar kundërshtarët e tij politikë. “Sot, rivalët politikë të Ramës ndiqen penalisht nga gjyqësori – madje edhe ata brenda partisë së tij që guxojnë të mos pajtohen me të,” – shprehet ai, duke tymosur një puro të hollë dhe i veshur me një jelek ngjyrë ulliri.
Ahmetaj u shkarkua nga qeveria në korrik 2022 pas një konflikti të brendshëm me Ramën. Më pas ndaj tij u hapën hetime për korrupsion, të cilat ai i quan të montuara politikisht për të njollosur figurën e tij. Qeveria, deri tani, nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete, dhe Ahmetaj i mohon kategorikisht akuzat.
Në vitin 2023, pasi mësoi se ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti, ai kërkoi azil në Zvicër, ku bashkëshortja dhe vajza e tij kanë leje qëndrimi.
Në kërkesën e tij për azil, Ahmetaj shpjegon se drejtësia shqiptare ka ushtruar presion edhe ndaj miqve dhe familjarëve të tij, madje u janë bastisur shtëpitë dhe zyrat.
—
SPAK – shpresë apo fasadë?
Në vitet e fundit, SPAK ka filluar të hetojë një numër gjithnjë e më të madh zyrtarësh të lartë, përfshirë edhe disa figura të Partisë Socialiste në pushtet.
Kjo ka bërë që shumë qytetarë ta shohin si një shenjë shprese – sipas një raporti të The Economist, një pjesë e madhe e shqiptarëve e besojnë se SPAK mund të bëhet një instrument real kundër korrupsionit.
Megjithatë, jo të gjithë ndajnë këtë optimizëm. Burime nga policia italiane kanë konfirmuar për FTM se dyshojnë për infiltrime të krimit të organizuar edhe brenda drejtësisë shqiptare, dhe se bashkëpunimi me autoritetet shqiptare shpesh është i pasigurt.
“Sa herë që kemi nevojë për bashkëpunim, bëjmë verifikimet tona, sepse nuk i besojmë gjithmonë informacionit që na japin,” – tha një zyrtar i lartë i policisë italiane që punon me rastet e krimit të organizuar.
Sipas tij, rrogat e ulëta dhe mungesa e integritetit e bëjnë sistemin shqiptar lehtësisht të korruptueshëm. “Kur sheh një prokuror që duhet të fitojë 800 euro në muaj, por udhëton me Maserati, është e qartë se kemi problem,” – shtoi ai.
SPAK nuk iu përgjigj kërkesave të Follow the Money për koment mbi këto pretendime.
Ndërkohë, policia italiane ka qenë e pranishme në Shqipëri që prej viteve 1990, për të ndihmuar në luftën kundër krimit ndërkufitar, por bashkëpunimi mes dy vendeve shpesh është i tensionuar dhe i vështirë.
—
Modeli fitimprurës i mafies shqiptare
Një pjesë e suksesit të mafies shqiptare shpjegohet nga strategjia e saj “biznesore” – mënyra si operon dhe si ka ndryshuar strukturën e trafikut të drogës në Evropë. Sipas hetimit të Follow the Money, shqiptarët kanë hequr dorë nga ndërmjetësit dhe kanë vendosur lidhje direkte në vendet prodhuese të kokainës në Amerikën Latine, duke siguruar kushte më të mira dhe fitime më të mëdha.
Matt Shea, dokumentarist që ka hulumtuar tregtinë e kokainës shqiptare, thotë se ka biseduar me drejtues të karteleve kolumbiane dhe me pjesëtarë të mafies shqiptare. “Kur takova klanin Clan del Golfo në Kolumbi, ata më thanë se shqiptarët ofronin përqindje shumë më të lartë fitimi,” – tregon Shea. “Ndryshe nga ‘Ndrangheta’, që paguante çmim standard për kilogram, shqiptarët propozonin ndarje fitimi 50–50.”
Kjo bashkëpunim i drejtpërdrejtë me burimin e prodhimit u ka dhënë shqiptarëve kontroll të madh mbi tregun evropian dhe fuqi të re ekonomike në zinxhirin e furnizimit.
Sipas të dhënave të Europol, trafikanti i njohur Dritan Gjika ka dërguar tona të tëra kokainë nga Ekuadori drejt Shqipërisë dhe porteve të ndryshme evropiane, përmes kompanisë së tij të eksportit të bananeve Agricomtrade.
Sipas mediave hetimore ekuadoriane, Plan V, droga fshihej brenda kontejnerëve të bananeve, ndërsa gjatë bastisjeve u sekuestruan mbi 3 ton kokainë dhe 48 milionë euro pasuri financiare.
Në shkurt 2024, policia bastisi shtëpinë e Gjikës në qytetin Guayaquil, por ai kishte arratisur dhe mbetet ende në kërkim. Autori francez Stéphane Quere, që ka shkruar një libër mbi origjinën e krimit të organizuar shqiptar, shpjegon pse bananet janë metoda ideale e fshehjes: “Nëse autoritetet vonohen për inspektimin, ngarkesat rrezikojnë të prishen, ndaj kontrollet janë të kufizuara. Kjo u jep trafikantëve përparësi.”
Ai shton me ironi: “Ka mbi 40 kompani që importojnë banane në Shqipëri. Mesa duket, shqiptarët i duan shumë bananet.”
—
Heshtja e Evropës
Ndërkohë që policia dhe prokurorët evropianë paralajmërojnë për rritjen e pranisë së mafies shqiptare, Evropa zyrtare duket se mbyll sytë.
Zërat kritikë ndaj Edi Ramës janë të rrallë, ndërsa Bashkimi Evropian vazhdon ta përgëzojë për “përparimin” e reformave.
Në nëntor 2025, Komisioni Evropian publikoi raportin e tij vjetor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në njoftimin për shtyp, thuhej se Shqipëria ka bërë “përparim të paprecedent” gjatë vitit të fundit, por në versionin e plotë të raportit shtohej se “Korrupsioni mbetet i përhapur në sektorët më të ndjeshëm.”
Një nga mbështetëset më të forta të Ramës në Bruksel është Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në vizitën e saj në Tiranë në tetor 2024, ajo e përgëzoi publikisht: “I dashur Edi, ti dhe ekipi yt keni bërë një punë të shkëlqyer. Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ju falënderoj për punën tuaj të palodhur, përkushtimin dhe miqësinë tuaj.”
Kjo mbështetje, sipas Follow the Money, ka arsye strategjike: Shqipëria, për shkak të pozicionit gjeografik – me kufirin me Greqinë dhe afërsinë me Italinë, është një pikë kyçe për NATO-n dhe menaxhimin e refugjatëve.
Për këtë arsye, Brukseli preferon të ruajë marrëdhëniet politike me Tiranën, pavarësisht kritikave për korrupsion dhe lidhje mafioze.
—
Zëri i kritikëve
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, tani në mërgim, e përmbyll intervistën me një pyetje të thjeshtë por domethënëse: “Nuk e kuptoj pse Evropa zgjedh të mos shohë realitetin në Shqipëri.”
Në këtë mënyrë, Follow the Money përmbyll hetimin e tij: Një vend që dikur paraqitej si histori suksesi në Ballkan, sot shihet si nyja më e fortë e rrjeteve të kokainës në Evropë, ndërsa Brukseli vazhdon të duartrokasë “reformat” – dhe të mbyllë sytë përballë një perandorie të ngritur mbi drogë, korrupsion dhe pushtet politik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






