

SPAK goditje e re për aferën e tunelit të Llogarasë: akuza ndaj pesë ish-zyrtarëve të lartë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur akuza të reja ndaj pesë ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, në kuadër të hetimeve për manipulimin e tenderit publik për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një ndër projektet më të mëdha infrastrukturore në vend.
Hetimi i zgjeruar, që ndjek procedimin penal nr. 136 të vitit 2025, vjen vetëm pak ditë pas njoftimit të 31 tetorit, kur u komunikua akuza ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, personat e akuzuar janë:
Evis Berberi, ish-drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH);
Gentian Gjyli, ish-drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në ARRSH; ky i fundit sot u paraqit në SPAK siç raportoi më herët noa.al.
Erald Elezi, ish-drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH;
Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Të pesë ish-zyrtarët përballen me akuzën për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Sipas SPAK-ut, gjatë procedurës së prokurimit publik për projektin “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum–Himarë, të zhvilluar më 11 dhjetor 2020 dhe të rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18.9 miliardë lekësh pa TVSH, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë favorizuar kompani të caktuara, duke cenuar parimin e konkurrencës së lirë dhe duke rrezikuar miliona euro nga buxheti i shtetit.
SPAK thekson se veprimet e ish-zyrtarëve kanë ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën e vlerësimit të ofertave, duke krijuar avantazhe të padrejta për subjekte të paracaktuara. Hetimet pritet të zgjerojnë edhe më tej përgjegjësitë penale në nivele të tjera të administratës shtetërore.
NJOFTIMI I PLOTË: SPAK vijon akuzat për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”
Në vijim të njoftimit të mëparshëm të publikuar më 31.10.2025, në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur akuza në ngarkim të pandehurve të tjerë; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurve; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë të bëjnë me veprimet e tyre në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit, i rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale, Evis Berberi – Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi – Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli – Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






