Transmetuar më 25-10-2025, 12:40

Tiranë, 25 tetor 2025/ noa.al – Kryeministri Edi Rama deklaroi në Londër pak ditë më parë, (21 tetor), se që prej vitit 1960 e deri më sot, asnjë zyrtar i lartë rus nuk ka ardhur në Shqipëri dhe anasjelltas, asnjë drejtues i shtetit shqiptar nuk ka shkuar kurrë këto 65 vjet në Federatës Ruse.

“Jo, faleminderit. Ne jemi një rast shumë i veçantë, sepse Shqipëria është i vetmi vend në të gjithë kontinentin e Europës, ku liderë nga Kremlini apo figura të profilit të lartë nga Moska nuk kanë ardhur që prej vitit 1960. Po ashtu, nga pala jonë askush nuk ka shkuar në Moskë për vizita apo çfarëdolloj arsye", deklaroi Rama në Londër.

Por e vërteta qëndron ndryshe sepse shumë drejtues të lartë shteti shqiptarë dhe rusë kanë shkuar në Moskë e Tiranë, madje dhe vetë Edi Rama që thotë se që nga 1960 nuk ka patur vizita drejtuesit shteti në dy vendet.

Dhe pikërisht, menjëherë pas vizitës që Rama kreu në Moskë, nuk pati më asnjë vizitë apo takim të nivelit të lartë në dy vendet.

Për të kuptuar më shumë përse po ndodh kjo situatë e ngrirë, noa.al kërkoi edhe qëndrimin e diplomacisë ruse.

Në përgjigje të disa pyetjeve që noa.al, bëri, ambasadori i Rusisë në Shqipëri Alexey Zaytsev, foli mbi zhvillimet e fundit dhe analizoi situatën sipas palës ruse në raport me Shqipërinë.

Ambasadori i përgjigjet dhe pyetjeve përse ka shkuar raporti mes dy vendeve në këtë nivel, si dhe analizon marrëdhëniet aktuale politike aktuale dhe ekonomike mes dy vendeve.

Përgjigjet e Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri Alexey Zaytsev pyetjeve të Agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA.al i gjeni më poshtë:

NOA.AL: Më 21 tetor të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë konferencës ndërkombëtare në Londër deklaroi se prej vitit 1960 asnjë zyrtar i lartë rus nuk ka vizituar Shqipërinë dhe anasjelltas, përfaqësuesit e autoriteteve shqiptare nuk kanë vizituar Rusinë. Sa i saktë është ky pohim?

Ambasadori Alexey Zaytsev: Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1990, të cilat u ndërprenë në vitin 1961 për shkak të mosmarrëveshjeve politike, Moska dhe Tirana ndërmorën hapat e nevojshëm për rinisjen e bashkëpunimit politik, diplomatik, tregtar dhe ekonomik midis vendeve.

Në mënyrë mjaft aktive po zhvillohej procesi i përditësimit të kuadrit ligjor për marrëdhëniet, që mbulonte një gamë të gjerë fushash, përfshirë kulturën, arsimin, turizmin, shëndetësinë, transportin etj.

Në vitet 1990 dhe 2000, u zhvillua një numër i tërë vizitash midis përfaqësuesve të qeverive dhe parlamenteve të të dy vendeve. Kështu, në korrik të vitit 1991, me ftesë të Këshillit Suprem të BRSS-së, Kryetari i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Kastriot Islami, bëri një vizitë zyrtare në Moskë.

Në tetor të vitit 1992, Kryetari i Këshillit Suprem të Federatës Ruse, R.I.Khasbulatov, bëri një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në prill të vitit 1995, u realizua një vizitë zyrtare në Rusi e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Akeksandër Meksi. Në maj të të njëjtit vit, Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha mori pjesë në ngjarjet përkujtimore në Moskë, kushtuar 50-vjetorit të Fitores mbi fashizmin.

Në mars të vitit 1999, një delegacion i Dumës Shtetërore të Asamblesë Federale të Federatës Ruse (dhoma e ulët e parlamentit rus), i kryesuar nga Zv.Kryetari, S.N.Baburin, vizitoi Tiranën. Gjatë kësaj vizite u zhvilluan bisedime me Kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Skënder Gjinushi. Delegacioni u prit gjithashtu nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani dhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko.

Më 14-16 tetor 2002, një delegacion i Dumës Shtetërore, i kryesuar nga Zv.Kryetari i Dumës, V.V.Zhirinovsky, mori pjesë në një konferencë parlamentare në Tiranë, e cila mbahej nën kujdesin e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, ku edhe u zhvilluan kontakte me parlamentarët shqiptarë.

Gjatë festimeve të 60-vjetorit të Ditës së Fitores në maj 2005, kryeqytetin rus e vizitoi Presidenti i Shqipërisë, Aleksandër Moisiu. Si një pjesëmarrës aktiv në rezistencën antifashiste, kreu i shtetit shqiptar u dekorua nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me një medalje jubilare.

Midis ministrive të Punëve të Jashtme të të dy vendeve mbaheshin kontakte të vazhdueshme pune, dhe çdo vit zhvilloheshin konsultime ndërministrore për një sërë çështjesh.

Në dhjetor të vitit 1997, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, kreu një vizitë pune në Rusi.

Në dhjetor të vitit 2002, një vizitë pune në Moskë realizoi Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta.

Në dhjetor të vitit 2004, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov zhvilloi një vizitë pune në Tiranë, gjatë së cilës u inicializua Traktati i Miqësisë dhe i Bashkëpunimit midis dy vendeve.

Një ngjarje e rëndësishme në aspektin humanitar dhe shpirtëror u bë vizita në prill të vitit 2018 në Shqipëri e Patriarkut të Shenjtë të Moskës dhe të të Gjithë Rusisë, Kirill, me ftesë të kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit. Gjatë vizitës, ai u takua me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe udhëheqësit e komuniteteve fetare të Shqipërisë.

Në shkurt 2020, Edi Rama vizitoi Moskën në cilësinë e Kryetarit të Radhës së OSBE-së. Dhe, që nga viti 2020, kontakte ruso-shqiptare të nivelit të lartë nuk ka pasur, por ato janë mbajtur në një bazë pune.

NOA.AL: Cilat janë lidhjet aktuale politike midis Rusisë dhe Shqipërisë?

Ambasadori: Duhet pranuar se marrëdhëniet dypalëshe ruso-shqiptare aktualisht janë në një “profil të ulët”, por jo për fajin tonë. Kështu u vendos në Tiranë. Në nivel ndërkombëtar, Shqipëria i përmbahet me vendosmëri dhe pa mëdyshje parimeve euroatlantike, duke iu bashkuar vazhdimisht të gjitha sanksioneve antiruse, gjë që, natyrisht, dëmton lidhjet tona.

Që nga fillimi i operacionit special ushtarak në shkurt 2022, qeveria shqiptare ka miratuar një politikë në mbështetje të regjimit të Kievit në fushat politike, diplomatike, ushtarake, ekonomike dhe humanitare, po kështu edhe në platformat ndërkombëtare (OKB, OSBE, APKE).

Në vitet 2022–2023, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shqipëria ishte bashkëautore e të ashtuquajturës “dosje ukrainase”, duke demonstruar në mënyrë aktive solidaritet me Ukrainën dhe politikat perëndimore në mbështetjen e regjimit të Kievit.

Për fat të keq, nismat e Rusisë për zhvillimin e bashkëpunimit kulturor dhe humanitar nuk kanë gjetur mbështetje këtu, megjithëse, siç e ka deklaruar vazhdimisht Kryeministri Edi Rama, kultura ruse vlerësohet dhe dashurohet në Shqipëri. Kjo dëshmohet edhe nga kontaktet tona me shqiptarët, veçanërisht me brezin e vjetër që ka studiuar në universitetet sovjetike dhe ruse.

Ne përdorim mediat sociale të misionit diplomatik për të promovuar kulturën ruse. Shfaqim rregullisht filma bashkëkohorë rusë në kinematë e Tiranës.

NOA.AL: Si po shkojnë punët në fushën ekonomike? A ka ndonjë pikë të përbashkët, projekte apo perspektiva për rritjen e tregtisë dhe investimeve?

Ambasadori: Marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis vendeve tona nuk janë duke përjetuar kohët më të mira. Faktorët politikë dhe sanksionet e paligjshme perëndimore, të mbështetura nga qeveria shqiptare, natyrisht po ndikojnë negativisht në tregtinë dypalëshe. Në vitin 2024, ajo ra në 42 milionë dollarë, nga të cilat mbi 99% ishin eksporte ruse. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), mallrat kryesorë të importuara në vitin 2024 prej Shqipërisë nga Rusia ishin drithërat (afërsisht 32 milionë dollarë), plehrat bujqësorë (10 milionë dollarë), gjithashtu qelqi, vajrat dhe lëndët drusore. Mallrat ruse mbërrijnë këtu kryesisht përmes ndërmjetësve dhe si rezultat i marrëveshjeve të lidhura në bursat ndërkombëtare të mallrave.

Në vitin 1992, me dakordësinë e palëve, u krijua Komisioni Ndërqeveritar për Bashkëpunim Tregtar, Ekonomik, Shkencor dhe Teknik. Takimi i fundit i punës i bashkëkryetarëve të tij u zhvillua në prill 2019. Në rast të shprehjes së interesit nga pala shqiptare, ky organ mund të përdoret për të promovuar bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik me përfitim të ndërsjellë midis vendeve tona.

Më lejoni të theksoj: Rusia nuk ka qenë kurrë iniciatore e ftohjes së marrëdhënieve me Shqipërinë dhe nuk i është shmangur dialogut me Tiranën, as për çështjet ku qëndrimet tona nuk përputhen ose ndryshojnë seriozisht. Rusia mbetet e hapur për një bashkëpunim pragmatik dhe një dialog konstruktiv me të gjitha vendet që janë të gatshme të marrin në konsideratë interesat ruse, dhe jo thjesht të imponojnë interesat e veta. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit