

Rama: Shqipëria nuk ka pasur asnjë kontakt me Putinin apo Kremlinin që prej vitit 1960 – “E duam Dostojevskin, por jo Rusinë e sotme”
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend në kontinentin europian që nuk ka pasur asnjë kontakt me Kremlinin që nga vitet ’60, duke theksuar se mes dy vendeve nuk ka pasur asnjë vizitë apo shkëmbim zyrtar për më shumë se gjysmë shekulli.
Në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin vjetor të Procesit të Berlinit, Rama ishte i ftuar të martën në “Future Resilience Forum 2025”, forumin ndërkombëtar të sigurisë dhe politikave globale. Ai u pyet nëse ishte takuar ndonjëherë me presidentin rus Vladimir Putin, dhe ai u përgjigj prerë:
“Jo, faleminderit. Ne jemi një rast shumë i veçantë, sepse Shqipëria është i vetmi vend në të gjithë kontinentin e Europës, ku liderë nga Kremlini apo figura të profilit të lartë nga Moska nuk kanë ardhur që prej vitit 1960. Po ashtu, nga pala jonë askush nuk ka shkuar në Moskë për vizita apo çfarëdolloj arsye.”
“Shqipëria, fari i vetëm i komunizmit në Evropë”
Rama kujtoi periudhën historike kur Shqipëria u shkëput nga Bashkimi Sovjetik dhe mbajti një qëndrim të ashpër ndaj vendeve të tjera të bllokut lindor. “Ne kishim një histori shumë të ndryshme nga vendet e tjera komuniste të Europës Lindore. Ne i konsideronim të gjithë ata tradhtarë të degraduar që nuk e meritonin shoqërinë tonë. Ne besonim dhe luftuam si ‘fari’ i vetëm i komunizmit në Evropë, ndaj kur sovjetikët e braktisën Stalinin, ne vazhduam ta ndiqnim atë,” – tha Rama.
Ai shtoi se për dekada në Shqipëri mbeti simboli i Stalinit, i cili kishte një statujë gjigante në bulevardin kryesor të Tiranës deri në vitet ’90. “Kjo krijoi një mungesë totale besimi dhe tërheqjeje nga Rusia. Ne e dashurojmë Dostojevskin dhe kulturën ruse, por nuk na pëlqen Putini, nuk na pëlqen Rusia aktuale, nuk kemi asgjë të përbashkët me të dhe as nuk na merr malli,” theksoi ai.
“Asnjëherë nuk jemi tunduar nga paratë ruse”
I pyetur nëse ka pasur ndonjë kontakt apo takim me zyrtarë rusë në kuadër të takimeve shumëpalëshe, Rama u përgjigj: “Jo, jemi imunë nga kjo. Kurrë nuk kemi patur asnjë lidhje apo tundim nga oligarkët rusë apo paratë e tyre. Për ne, letërsia dhe muzika ruse janë më shumë se mjaftueshëm.”
“Në Kremlin muzika nuk ndryshon kurrë, vetëm teksti”
Në vijim të intervistës, Rama solli një shembull simbolik për politikën ruse përmes historisë së himnit kombëtar të Rusisë: “Himni rus është kompozuar shumë kohë më parë. Kur Hrushovi ndryshoi linjën politike, kërkoi që të ndryshohej edhe teksti. Më pas, kur Yeltsin mori pushtetin pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, sërish kërkoi ndryshim teksti. Kur erdhi Putini, kërkoi një variant të katërt, por muzika nuk ndryshoi kurrë. Kjo i përgjigjet pyetjes suaj: në Kremlin muzika nuk ndryshon, vetëm teksti.”
Për paqen dhe Evropën
Duke iu referuar debatit për ndërmjetësimin në konfliktet ndërkombëtare, Rama u shpreh se Evropa shpesh nuk di si të përgatitet për paqe, ndërsa shtoi se Rusia e Putinit nuk ka treguar asnjë vullnet real për t’u distancuar nga politika e forcës.
“Në thelb, muzika në Kremlin mbetet e njëjtë. Fjalët mund të ndryshojnë, por mentaliteti jo,” – përfundoi kryeministri Rama.
E PLOTË
Mund t’ju pyes, a jeni takuar me Vladimir Putinin?
Kryeministri Edi Rama: Jo, faleminderit. Ne jemi një rast shumë i veçantë do thoja, sepse Shqipëria është i vetmi vend në të gjithë kontinentin e Europës, ku liderë nga Kremlini apo figurë e profilit të lartë nga Moska, nuk ka ardhur qysh prej 1960, që nga 1960 asnjë nga pala jonë nuk ka shkuar në Moskë të vizitojë Kremlinin apo për çfarëdolloj arsye.
Kjo ka lidhje me historinë tonë. Ne kemi patur një histori të veçantë, shumë ndryshe nga vendet e tjera komuniste të bllokut sovjetik, sepse ne i konsideronim të gjithë ata tradhëtarë të degraduar, që nuk e meritonin shoqërinë tonë.
Ne besonim dhe luftuam si “fari” i vetëm i komunizmit në Evropë, kështu që kur sovjetikët e braktisën Stalinin, ne vazhduam ta ndiqnim Stalinin.
Stalini ishte në bulevardin tonë kryesor në bronx, shumë herë më i gjatë se sa unë deri në vitet ‘90. Kjo krijoi një qëndrim të tillë, një mungesë totale besimi dhe një mungesë totale tërheqjeje nga Rusia. Ne e dashurojmë Dostojevskin e gjithçka që na ka dhënë kultura ruse, por nuk na pëlqen Putini, nuk na pëlqen Rusia aktuale, nuk kemi të bëjmë asgjë me të dhe as nuk na merr malli.
-Pra ju nuk kemi patur takime, as në takime shumëpalëshe qeveritare.
Kryeministri Edi Rama: Jo jemi imunë nga kjo, nuk kemi patur. Kurrë nuk jemi tunduar nga oligarkët rusë, nga paratë ruse. Për ne, letërsia ruse dhe muzika e shkëlqyer ruse është më shumë se mjaftueshëm.
-Për t’ju kthyer pas, pati edhe një seancë që fliste për ndërmjetësimin, për t’ju kthyer komentit tuaj për Europën që nuk di si të përgatitet për paqe. A do Putini paqe dhe nëse është kështu..
Kryeministri Edi Rama: Ka një histori, nuk e di sa e njihni, ka një histori të vërtetë për himnin rus. Himni rus u kompozua kohë më parë dhe pas ndryshimit në politikën e Moskës, Hrushovi i kërkoi autorit të tekstit të himnit të ndryshonte tekstin dhe e ndryshoi.
Më pas, kur Rusia u bë e pavarur nga Bashkimi Sovjetik apo kur vendet e Bashkimit Sovjetik u bënë të pavarura nga Rusia, Yeltsin mori në telefon autorin dhe i tha: “duhet të ndryshojmë tekstin’’, dhe autori shumë më i moshuar nga kur shkroi variantin e parë të himnit, ndryshoi tekstin.
Më pas, Putini kërkoi një një variant të katërt të himnit, por muzika nuk ndryshoi kurrë. Kjo i përgjigjet pytejes suaj, që në Kremlin muzika nuk ndryshon kurrë, teksti ndoshta.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





