Transmetuar më 21-08-2025, 15:09

NOA INTERVISTË / Dalina Gjicali – Eksperte për Zhvillimin e Kapaciteteve dhe Sjelljen Organizative: AI po zhduk punët rutinë dhe po riformëson tregun e punës në Shqipëri dhe Kosovë

Inteligjenca Artificiale nuk është më një trend i largët, por realitet që po ndryshon rrënjësisht tregun e punës – nga call center-at në Shqipëri e Kosovë deri te industrinë globale të shërbimeve dhe prodhimit.

Ekspertja e zhvillimit të kapaciteteve dhe sjelljes organizative, Dalina Gjicali, shpjegon në një intervistë për NOA.al se si AI po zhvendos punët hyrëse, cilat profesione janë më të rrezikuara, cilat aftësi do të kërkohen më shumë dhe si duhet të përgatiten punonjësit për të mbijetuar në një treg gjithnjë e më të automatizuar.

NOA.al: Si po ndryshon përdorimi i AI strukturën e tregut të punës?

Dalina Gjicali

Dalina Gjicali: Në nivel si lokal, ashtu edhe global, Inteligjenca Artificiale po ndryshon themelet e tregut të punës. Po “gërryen” shtresat e punëve rutinë – veçanërisht pozicionet hyrëse – duke zhvendosur peshën e punës drejt proceseve të automatizuara dhe duke rritur kërkesën për aftësi të avancuara, që kombinojnë kompetencat teknologjike (data/AI) me ato njerëzore si komunikimi, mendimi kritik dhe koordinimi. Raporti Future of Jobs 2025 i Forumit Ekonomik Botëror thekson se 40% e punëdhënësve presin të ulin fuqinë punëtore atje ku AI mund të automatizojë detyra, duke e renditur teknologjinë si faktorin më përçarës në tregun e punës gjatë periudhës 2025-2030. Kjo do të shoqërohet me krijimin e roleve të reja dhe rritje të kërkesës për upskilling.

Në Shqipëri dhe Kosovë, ndikimi është më i dukshëm te sektori i shërbimit ndaj klientit dhe BPO. Një shembull konkret është ai i nje kompanie BPO e cila uli përafërsisht 450 pozicione të ofruara nga Shqipëria duke i zëvendësuar me sisteme të AI-së për shërbimin ndaj klientit sinjal i qartë se segmenti entry-level është i pari që ndikohet. Paralelisht, në marketing dhe kanalet dixhitale po rritet përdorimi i AI për automatizim fushatash, targetim klientësh dhe gjenerim përmbajtjeje, duke ulur nevojën për detyra operative dhe duke zhvendosur rolin e njeriut drejt strategjisë dhe kreativitetit. Në përdorimin e përditshëm, ChatGPT dominon tregun e chatbot-eve në Shqipëri, me mbi 90% pjesë tregu mes korrik 2024 dhe korrik 2025 (StatCounter), duke treguar një penetrim të shpejtë të mjeteve që ndikojnë në mënyrën e punës, kërkimit dhe analizës së informacionit. Megjithatë, burime vendase nënvizojnë se studentët dhe punonjësit ndihen ende të papërgatitur për mjedise pune ku përdoret AI, gjë që kufizon përfitimet ekonomike pa investime serioze në aftësi.

Kjo panoramë përkthehet në një ulje të kërkesës për role operative sic janë agjentët standart të call center-it apo detyra bazike të analizës dhe raportimit dhe në një rritje të kërkesës për role që kombinojnë ekspertizën e fushës me përdorimin e AI, si marketing me analytics apo financë të mbështetur nga machine learning. Aftësitë njerëzore të vështira për t’u zëvendësuar mbeten thelbësore.

Trendet globale e mbështesin një tablo ku në industri të ndryshme po zhvendosen detyrat hyrëse si kërkimi bazik, përgatitja e prezantimeve apo analizat e thjeshta, gjë që mbyll “shkollën e profesionit” brenda kompanive dhe e orienton karrierën drejt zotërimit të mjeteve AI dhe rezultateve të matshme. Në prodhim dhe retail robotët e pajisur me AI po marrin përsipër detyrat monotone të ashtuquajturat “dirty, dull, dangerous” duke rritur produktivitetin dhe zhvendosur punonjësit drejt roleve me vlerë më të lartë. Në marketing dhe shërbimin ndaj klientit, ekosistemi global i chatbot-eve dhe agjentëve gjenerues po standardizon ndërveprimet bazike, me eskalim te agjentët njerëzorë për rastet komplekse.

Praktikisht, për tregun shqiptar dhe kosovar kjo do të thotë tre gjëra:

1. Ristrukturim i shtresës operative, sidomos në BPO/call center, shërbime standarde dhe detyra bazike analitike.

2. Presion për upskilling në data/AI dhe në aftësitë njerëzore si komunikimi, mendimi kritik dhe menaxhimi i rasteve.

3. Zhvendosje e vlerës së punës nga volumet rutinë tek përdorimi i mjeteve AI dhe zgjidhja e problemeve në një drejtim që përputhet me parashikimet e WEF (World Economic Forum) për 2025–2030 dhe që tashmë po shihet në praktikat e para konkrete në vend.

Cilat kategori profesionesh janë më të rrezikuara nga zëvendësimi me AI?

Në nivel global, Inteligjenca Artificiale po riformëson ndjeshëm peisazhin e profesioneve duke vendosur nën presion veçanërisht ato role që mbështeten në detyra të përsëritura, të strukturuara dhe të lehta për t’u kodifikuar. Sipas te rejave më të fundit të vitit 2025, në “vijën e parë” të rrezikut janë pozicionet me përpunim bazik të të dhënave, si data entry dhe raportimet standarde, disa role në shërbimin ndaj klientit ku ndërveprimi mund të automatizohet me chatbot dhe sisteme të vetëshërbimit, si dhe detyra në shitjen me pakicë dhe prodhim, ku robotika e kombinuar me AI ofron efikasitet të lartë dhe kosto më të ulët.

Rreziku nuk kufizohet vetëm te punët manuale apo rutinore. Edhe pozicionet hyrëse në teknologji, konsulencë dhe shërbime të cilat tradicionalisht kanë shërbyer si “shkolla e profesionit” për të rinjtë po preken nga AI, pasi detyrat bazike të analizës, kërkimit dhe përgatitjes së prezantimeve ose raporteve kryhen tashmë në pak sekonda nga mjetet inteligjente. Ky trend mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si ndërtohet përvoja e parë e punës, duke e zhvendosur fokusin nga përvetësimi i aftësive bazë përmes detyrave operative te zotërimi i mjeteve të reja teknologjike dhe aftësia për të krijuar rezultate të matshme.

Lista e profesioneve me ekspozimin më të madh përfshin gjithashtu krijues përmbajtjeje, përkthyes, dizaijn grafikë, analistë financiarë dhe disa pozicione në burimet njerëzore, role ku AI tashmë është i aftë të gjenerojë output konkurrues.

Në terma biznesi, kjo do të thotë se kompanitë do të vazhdojnë të optimizojnë zinxhirin e vlerës duke automatizuar segmentet ku teknologjia është më efikase, ndërsa profesionistët që duan të mbeten konkurrues duhet të investojnë në specializim, aftësi ndërdisiplinore dhe në përdorimin strategjik të AI-së për të shtuar vlerë përtej asaj që një sistem inteligjent mund të prodhojë vetë.

Cilat aftësi ose profesione janë dhe do të jenë më të kërkuara?

Sipas Raportit “Future of Jobs 2025” të Forumit Ekonomik Botëror, tregu i punës po zhvendoset me shpejtësi drejt profesioneve që kombinojnë ekspertizën teknologjike me aftësi të thella analitike dhe krijuese. Në listën e “jobs of the future” për vitet e ardhshme, vendin kryesor e zënë specialistët e Inteligjencës Artificiale dhe Machine Learning, ekspertët e Big Data dhe inxhinierët e fintech. Këto role janë thelbësore jo vetëm për zhvillimin e teknologjisë, por edhe për transformimin e industrive tradicionale, nga financa te prodhimi dhe marketingu.

Raporti thekson se nuk mjafton të zotërosh vetëm aftësi teknike. Aftësitë njerëzore, si mendimi kritik, zgjidhja krijuese e problemeve, udhëheqja dhe komunikimi efektiv, mbeten të pazëvendësueshme dhe janë po aq të kërkuara sa edhe kompetencat teknologjike. Ky kombinim – teknologji + aftësi njerëzore – po bëhet elementi kyç që i mban profesionistët konkurrues në një treg pune ku automatizimi po përparon me ritme të shpejta.

Në këtë kuadër, profesionistët që arrijnë të ndërthurin njohuritë e sektorit të tyre (p.sh., financë, marketing, logjistikë) me përdorimin strategjik të mjeteve të AI-së, jo vetëm që sigurojnë qëndrueshmëri në treg, por krijojnë edhe vlerë shtesë që teknologjia e pastër nuk mund ta ofrojë. Për këtë arsye, upskilling-u i vazhdueshëm dhe përditësimi i kompetencave është bërë kusht për suksesin afatgjatë.

A po e përdorin kompanitë shqiptare AI për zëvendësim apo për mbështetje?

Në Shqipëri, përdorimi i Inteligjencës Artificiale nga bizneset po zhvillohet në dy kahje të dallueshme, që tregojnë nivele të ndryshme pjekurie teknologjike. Nga njëra anë, ajo po përdoret për të zëvendësuar detyra rutinë në sektorë si shërbimi ndaj klientit dhe qendrat e thirrjeve, ku chatbot-et dhe sistemet e vetëshërbimit marrin përsipër ndërveprimet standarde, duke ulur kostot dhe rritur shpejtësinë e përgjigjes, por edhe duke kufizuar hapësirat për rolet hyrëse. Nga ana tjetër, në kompani me qasje më strategjike, AI po shihet gjithnjë e më shumë si një mjet mbështetës për të fuqizuar ekipet ekzistuese. Në fushat e marketingut dhe menaxhimit të marrëdhënieve me klientët, ajo po përdoret për të automatizuar proceset kyçe si zhvillimi i fushatave, përzgjedhja dhe segmentimi i audiencës, si dhe analiza e të dhënave të klientëve, duke u lënë profesionistëve më shumë kohë dhe hapësirë për të fokusuar energjinë te strategjia, kreativiteti dhe vendimmarrja me vlerë të lartë.

Paralelisht, po shfaqet një fenomen i ri te profesionistët e lirë, ekspetët, të cilët po e përdorin AI-në për të gjeneruar opinione, analiza dhe shkrime që i ndihmojnë të forcojnë profilin e tyre publik dhe autoritetin profesional në rrjete sociale e media, duke e kthyer teknologjinë në një aleat për pozicionimin personal dhe diferencimin në treg.

Në tërësi, kjo tablo tregon një treg në tranzicion ku automatizimi dhe inovacioni bashkëjetojnë, ndërsa aftësia për ta përdorur AI-në në mënyrë inteligjente bëhet një faktor kyç konkurrues.

Si mund të përgatiten punonjësit për të mbijetuar e mos ngecin në një treg pune të automatizuar?

Në një treg pune që po transformohet shpejt nga automatizimi dhe AI, mbijetesa profesionale nuk do të varet më vetëm nga titujt apo eksperienca e kaluar, por nga aftësia për të mësuar, përshtatur dhe krijuar vlerë në mënyrë të vazhdueshme.

AI-literacy do funksionojë si “bazën e re” e punës moderne dhe kjo përfshin jo thjesht njohjen e mjeteve, por zotërimin e mënyrës se si formulohen prompt-et, si përdoren copilot-ët në proceset e punës, si kombinohen aftësitë teknike si Python dhe analiza të dhënash me eksperiencën në fushën përkatëse, si dhe ndërtimin e një portofoli real me rezultate dhe projekte të prekshme, jo vetëm certifikata teorike.

Në këtë kontekst, reskilling dhe upskilling nuk janë opsione, por kushte për të ruajtur konkurrueshmërinë. Përparimet në AI dhe përpunimin e informacionit pritet të transformojnë strukturat e biznesit deri në vitin 2030, duke i dhënë avantazh atyre organizatave dhe individëve që investojnë në zhvillim të vazhdueshëm.

Por suksesi nuk do të vijë vetëm nga teknologjia. Vlera e shtuar do të jetë tek kombinimi i aftësive njerëzore si vendimmarrje, kreativitet, mendim kritik, komunikim me ndikim me fuqinë e AI-së si mjet. Ata që dinë të përdorin inteligjencën artificiale për të rritur produktivitetin dhe cilësinë, por duke i dhënë asaj kuptim përmes kontekstit dhe gjykimit njerëzor, do të jenë ata që jo vetëm mbijetojnë, por do të udhëheqin në tregun e së nesërmes.

Në këtë realitet të ri, përshtatja bëhet monedha kryesore e karrierës: kush ecën me ritmin e teknologjisë dhe e kthen atë në avantazh strategjik personal, jo vetëm që nuk ngec, por fiton terren.

A duhet ndërhyrje ligjore për të mbrojtur vendet e punës? Ka hapësirë?

Ndërhyrja ligjore ka vend, por nuk duhet parë si një frenim i teknologjisë, sepse përfitimet e AI-së për inovacionin dhe produktivitetin janë të mëdha. Kornizat më të mira ndërkombëtare si ato të OECD sugjerojnë një qasje të balancuar, ku fokusi është tek mbështetja aktive e tregut të punës dhe garantimi i përdorimit të përgjegjshëm të teknologjisë.

Kjo do të thotë të krijohen politika aktive të tregut të punës, si skema voucher-ash ose kredi fiskale për upskilling dhe reskilling, që punonjësit të përfitojnë nga teknologjia, jo të penalizohen prej saj. Po aq e rëndësishme është vendosja e standardeve të transparencës dhe auditit në përdorimin e AI-së, për të minimizuar bias-in, për të mbrojtur privatësinë dhe për të siguruar që vendimmarrja automatike është e justifikueshme dhe e kuptueshme.

Një tjetër shtyllë është krijimi i programeve të tranzicionit për punonjësit që preken nga automatizimi duke përfshirë ri-aftësimin, ndërmjetësimin për punësim të ri dhe mbështetjen financiare të përkohshme. Këto masa lidhen drejtpërdrejt me gjetjet e Future of Jobs 2025, që thekson nevojën për përhapjen e aksesit digjital dhe skills-first policies deri në vitin 2030, në mënyrë që transformimi digjital të jetë gjithëpërfshirës dhe ekonomikisht i qëndrueshëm.

Në këtë mënyrë, legjislacioni nuk bëhet “frena e inovacionit”, por mekanizmi që garanton një tranzicion të drejtë ku teknologjia avancon, por shoqëria dhe tregu i punës nuk mbeten pas.

Cilat janë gabimet më të zakonshme që bëjnë punëkërkuesit me teknologjitë e reja?

Një nga pengesat më të mëdha që po vërehet në tregun modern të punës është mënyra si një pjesë e punëkërkuesve po i qasen teknologjive të reja, sidomos AI-së. Shpesh, gabimi nis te fokusimi në certifikata dhe jo në rezultate reale. Në vend që të ndërtojnë një eksperiencë pune me projekte konkrete, të matshme dhe të lidhura me rolet e së ardhmes si data analytics, AI, ose integrimi i mjeteve inteligjente në një proces pune shumë aplikantë mjaftohen me certifikatash. Kjo bie ndesh me pritshmëritë e punëdhënësve, të cilët, po kërkojnë gjithnjë e më shumë aftësi të matshme dhe të aplikueshme, jo thjesht dëshmi formale.

Një tjetër problem i zakonshëm është përdorimi i pakujdesshëm i AI-së. Dorëzimi i materialeve të krijuara nga AI pa verifikim faktesh, pa shpjegim të metodës dhe pa e kuptuar logjikën e procesit, është një “flamur i kuq” në intervista apo gjatë kontrolleve të cilësisë. Në literaturën globale mbi “algorithmic bias” theksohet se mungesa e transparencës dhe përdorimi mekanik i mjeteve inteligjente jo vetëm dëmton cilësinë, por dhe besueshmërinë e kandidatit.

Së fundi, ka një hendek të theksuar në bazat teknike. Një numër profesionistësh kanë njohuri sipërfaqësore në shumë fusha, por nuk zotërojnë mjaftueshëm thellësi për të krijuar vlerë reale në bashkëpunim me AI-në. Mungesa e aftësive themelore në analiza të dhënash, kontroll cilësie apo skriptim të thjeshtë i lë ata jashtë garës për rolet ku kombinimi i ekspertizës së domain-it me AI-në është vendimtar.

Në thelb, tregu nuk po kërkon vetëm njerëz që “dinë AI”, por profesionistë që mund ta përdorin atë si një mjet për të krijuar rezultate konkrete, të matshme dhe me ndikim në biznes. /noa.al

ENGLISH VERSION: The Impact of Artificial Intelligence on the Labor Market, Interview with Expert Dalina Gjicali

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit