

Shtypja e fjalës, nxitja e migracionit masiv, sulmet ndaj lirisë fetare dhe manipulimi i zgjedhjeve rrezikojnë vetë themelin e partneritetit transatlantik
Tiranë – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës trazoi orët e fundit opinionin publik shqiptar duke veçuar nga një fjalim zyrtari të Departamentit të Shtetit, kritikën për manipulim të zgjedhjeve.
Artikulli është shkruar nga Samuel Samson, Këshilltar i Lartë pranë Byrosë për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punën (DRL), Departamenti i Shtetit të SHBA.
Ai fokusohet te zhvillimet në Evropë, por Ambasada ka zgjedhur, jo rastësisht, të veçoja pikërisht këtë pjesë:
"Shtypja e fjalës, lehtësimi i emigrimit masiv, shënjestrimi i shprehjes së besimit dhe minimi i zgjedhjes elektorale kërcënojnë vetë themelet e partneritetit transatlantik", Samuel Samson shkruan se si partneriteti ynë duhet të bazohet në trashëgiminë e përbashkët dhe jo në konformizmin globalist.
Artikulli "The Need for Civilizational Allies in Europe", i publikuar më 27 maj 2025 në platformën Substack nga zyrtari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, argumenton se Shtetet e Bashkuara duhet të rivlerësojnë marrëdhëniet e tyre me Evropën.
Autori thotë se kjo duhet bërë duke u fokusuar në aleatët që ndajnë vlera të përbashkëta civilizuese, si liria e shprehjes, sovraniteti kombëtar dhe trashëgimia kulturore perëndimore.
Samson kritikon politikat e disa vendeve evropiane që, sipas tij, kanë kufizuar liritë individuale përmes censurës digjitale dhe rregullimeve të tepërta. Ai thekson nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë me vendet që ruajnë këto vlera të përbashkëta, për të përballuar sfidat globale dhe për të forcuar lidhjet transatlantike.
Për më shumë detaje, mund të lexoni artikullin e plotë në këtë lidhje.
Kjo shpërndarje që Ambasada amerikane i bëri publikimit të zyrtarit të DASH, vjen pak ditë pasi ajo bëri deklaratën më të thatë në më shumë se 3 dekada për zgjedhjet: "Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë".
Këto zhvillime vijnë ndërsa nga njëri krah, Edi Rama ka marrë një mandat të katërt qeverisës që e çon në 16 vjet rresht pushtetin e tij dhe nga ana tjetër, opozita e Sali Berishës pret shumë që SHBA më së paku të mos njohë zgjedhjet dhe më së shumti ti demaskojë publikisht ato.
PD përshëndet mesazhin e SHBA-ve: Narkoshteti i Edi Ramës, në shënjestër të zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit
Tiranë – Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të një mesazhi të Këshilltarit të Lartë të Byrosë për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punën në Departamentin Amerikan të Shtetit, z. Samuel Samson, i shpërndarë nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Në një deklaratë për shtyp, PD shprehet se qëndrimi i qartë i SHBA-ve për liritë individuale, i artikuluar nga zyrtarë të lartë amerikanë si Presidenti Donald Trump, Zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari Marco Rubio, përkon me thelbin e kauzës së saj politike dhe me realitetin aktual në Shqipëri.
Sipas PD-së, mesazhi i z. Samson, i cili rikujton katër kolonat bazë të një sistemi demokratik – shtypja e fjalës së lirë, nxitja e emigracionit masiv, goditja e besimit fetar dhe minimi i zgjedhjeve të ndershme – përbën një denoncim të qartë të regjimit të Edi Ramës, të cilin e akuzon për bashkëpunim me patronazhistë dhe kartele droge.
"Ky mesazh i fortë dhe i drejtpërdrejtë ekspozon rrezikun që paraqet regjimi aktual për opozitën, demokracinë dhe shoqërinë shqiptare në tërësi," thuhet në deklaratë, duke cituar një pasazh të z. Samson ku theksohet se këto fenomene kërcënojnë vetë themelet e partneritetit transatlantik.
PD gjithashtu thekson se mesazhi i SHBA-ve përputhet me Rezolutën e sapomiratuar të IDC-CDI, duke përsëritur kërkesën për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Ne i sigurojmë partnerët tanë ndërkombëtarë se Partia Demokratike mbetet e vendosur për rikthimin e shtetit të së drejtës dhe të votës së lirë në Shqipëri,” përfundon deklarata. /noa.al
Foto kryesore, Edi Rama në inspektimin para disa ditësh të aeroportit të Vlorës
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd