Transmetuar më 29-03-2025, 19:11

Auron Tare

Një mëngjes i bukur, plot dritë dhe diell, i pasuar nga një erë e freskët, shihte grumbullimin e një turme të madhe njerëzish pranë pallatit të Ali Pashës. I gjithë qyteti po mblidhej për të parë një spektakël të organizuar nga sundimtari i famshëm shqiptar. Kishin kaluar vetëm 20 vite nga arritja më e madhe e njerëzimit.

Balona me ajër të nxehtë e vëllezërve Montgolfier e pilotuar nga Jean François Pilatre de Rozier dhe Marquis Franois-Laurent d’Arlandes në një demostrim të guximshëm, kishte tentuar diçka të paimagjinueshme, teksa u ngrit të fluturojë përpara një turme të madhe, që ishte mbledhur për të parë këtë spektakël të jashtëzakonshëm në sheshin e Versajës. Dhe ja në Janinë me nxitjen e Ali Pashës do të ndodhte një ngjarje e paimagjinueshme. Një balonë me ajër të nxehtë do të fluturonte edhe ajo mbi qytet.

Fluturimi me një balonë në këtë krahinë osmane ishte diçka e përmasave të mëdha. Një fluturim i tillë sapo kishte ndodhur një vit më parë në kryeqytetin e perandorisë, Stamboll. Ali Pasha i njohur për tërheqjen e madhe ndaj zhvillimeve europiane po tentonte diçka të ngjashme. Një spektakël me balonë. Në mesin e turmës së dendur ku një mori fëmijësh bërtisnin dhe fishkëllenin me gishta në gojë, ndodhej edhe mjeku i oborrit të Aliut, Dr. Joanis Vilaras.

Vilaras i shkolluar në universitete europiane për mjekësi, ishte një mendje e ndritur mes shoqërisë kozmopolite të Janinës. Autor i një fjalori shqip-greqisht i njohur si Alfabeti i Vilarasë ai kishte njohje dhe letërkëmbim me disa nga europianet e shquar që kishin vizituar Janinën. “Aliu kishte dëgjuar se një fluturim i tillë është bërë në Paris dhe donte të bëhej edhe në vendin e tij…” * shkruan Vilara, dëshmitari i vetëm i cili ofron të dhëna mbi këtë ngjarje dhe prej të cilit dimë diçka më shumë.

Qyteti dhe personalitetet e kohës, përfshirë Haremin e Aliut, ishin mbledhur në fushën jashtë kalasë rreth kishës Agiou Nikolaus. Në mendimin tim, ky vend, mund të identifikohet me zonën ku sot ndodhet aeroporti i Janinës, një hapësirë ideale për një ngjarje të tillë. Njerëzit e zgjedhur për këtë mision ishin Pahome, një minator argjendi, vllah nga Kalavrites, dy nga argjendarët e Aliut, Dhimitri Kontojani dhe Gjergji Kurti, si dhe Dhimo Koleti i afërm i Ioannis Kolettit, mjeku personal i Ali Pashës dhe spiuni i famshëm i Aliut, Nikola Iagos.

Disa prej këtyre vullnetarëve, të përzgjedhur si “Mongolfierët e Janinës” ishin nga komuniteti vllah. Komuniteti, i pranishëm dhe mjaft i dukshëm në oborrin e Aliut, që përfshinte disa nga personalitetet më të shquara me origjinë vllahe, si për shembull Kryeministri i ardhshëm i Greqisë, Ioannis Koletis, i cili luajti një rol të rëndësishëm në historinë politike të vendit.

Nëse do të ndjekim rrëfimin në vargje të Vilaras, balona me ajër ishte përgatitur për shfaqjen e mezipritur. Gati gjysëm dite u mori ndihmësve të Pahomes për ta fryrë pëlhurën duke shkaktuar kështu britma, të qeshura dhe fishkëllima nga turma e paduruar që kishte ardhur për të parë zotin Pahome, “Ikarusin e Ri”*, rivalin e të famshmit Blanchard. Përshkrimi i Vilaras është magjepsës duke na sjell një pamje të gjallë dhe realiste të këtij spektakli.

Kondojani çapitet përqark balonës. Pahome veshur me gunën e shkurtër sillet përqark duke dhënë urdhëra sa në greqisht dhe sa në gjuhën amtare. Në anën tjetër qëndron Gjergj Kurti, i cili menjëherë merr një fletë letre nga koshi por zoti Pahome ia rrëmben nga duart dhe i vetëm, si një cigan i mirë, fillon ta fryjë pëlhurën.

Gjergj Kurti dhe Dhimo Coleti kujdesen që ta lidhin fort me litarë balonën duke e shtrënguar pas trarëve te drurit, nga frika se mos fryhet para kohe. Kurti, Coleti dhe Pahome me dhjetë të tjerë fryjnë pëlhurën pandërprerë, por asgjë nuk ndodh. Përpjekje e kotë, pasha Zotin- i thotë Kurti – çfarë faji kam nëse nuk fryhet? Me kaq përpjekje dhe me aq mundim, mund të fryj një mijë gomarë për ty.

Duke goditur kudhrën me çekiç dhe duke pasur si shoqërues ciklopët, Hefesti i çalë, i cili e bën Etnën të kumbojë me fuqinë me të cilën e godet, nuk skuqet dhe nuk zemërohet aq sa Pahome që, është lodhur duke kërcyer e duke u rrotulluar vazhdimisht. Ai nxehet dhe skuqet, bërtet, bërtet dhe zemërohet.

Por për shkak të mungesës së përvojës dhe me shumë mundësi mungesës së njohurive teknike nga ndihmësit e Pahome-së, balona anohet dhe pastaj merr flakë, duke u bërë shkrumb e hi brenda pak minutash. Duke parë zjarrin, spektatorët zënë të iknin dhe Ali Pasha i zhgënjyer thellë largohet nga fusha për tu kthyer në pallat i inatosur.

H αεροστάτης σφαίρα (Balona) Poemë satirike nga Dr. Ioanis Vilaras *

Shpejt u them vrapohi, në s’mundi un’s’kam fajë, ejani të gjithë vraponi pa u ndalë, ajdeni nga jeni askush të mosë mbesë, s’ajo që do ndodhë s’është par’për besë. Ejani të shihni francezinë Ikarë, të famshminë e ndritur, Jean Pierre Blanchard, dili që të shihni Wolfunierinë bëmak, gëzoju o i madh, zelltar dijetar Shirák. E gjithë lavdia e jotja është.

[…]

[… Të plotë përkthimin e kësaj poeme në shqip nga Aleksandër Vasili mund ta lexoni duke klikuar këtu. Nuk e kemi prekur shqipen e stilizuar të shqipëruesit.]

Poezia e Vilaras për këtë ngjarje përbën dëshminë e vetme të kësaj përpjekje të Ali Pashës për të fluturuar mbi Janinë. Njëlloj si në Versajë, Aliu shpresonte të krijonte një spektakël të ngjashëm edhe në Janinë. Ndoshta dështimi i kësaj ndërmarrje bëri që fluturimi i pasuksesshëm të zhdukej në thellësitë e kohës dhe askush të mos fliste më për të. Ndërkohë poema satirike e Vilarasë mbeti po ashtu e pa botuar ndonjë herë deri sa u përfshi në Vëllimin e Poemave të tija botuar në Athinë.

Duhet thënë ndërkohë se Balona është një poezi satirike e cila ka vlera të rralla historike por duhet lexuar dhe gjykuar në kontekstin e kohës kur u shkrua. Në vargjet e poemës ndihet përçmimi i Vilarasë për disa nga personazhet e përfshirë në këtë aventure që janë me origjinë vllahe.

Edhe pse nacionalizmi grek ende nuk kishte përfshirë këtë provincë të Perandorisë me shumë mundësi elementi vlleh në Oborrin e Ali Pashës por edhe me gjerë shihej me një lloj përçmimi nga elementi grek i kulturuar brenda këtij Oborri. Duhet thënë se vllehët ishin element i rëndësishëm në Vilajetin e Janinës dhe në rrëfenjat e kohës si dhe traditën folklorike kapedanët vllehë kanë lënë gjurmët e tyre.

Një pjesë e këtyre personazheve të rëndësishme të komunitetit vlleh kishin bërë aleancë me Ali Pasha Tepelenën dhe shërbenin si në ushtri apo edhe në fusha të tjera. Emri më i shquar i kohës nga ky komunitet ishte mjeku personal i Aliut, Jani Koleti i cili më vonë do të bëhej edhe Kryeministër i Greqisë moderne. Ndoshta influence e vlleherve pranë Aliut është parë me xhelozi nga elementi grek, përçmimi ky i dalluar qartazi në poezinë e Vilarasë kushtuar fluturimit të pa suksesshme me Balonë në Janinën e vitit 1803.

Ndonëse balona në Janinë ngjante në një spektakël për turmën, në Evropë dhe më gjerë ideja e përdorimit të balonës me ajër të nxehtë në luftë po fermentohej me shpejtësi. Një nga figurat kryesore të kohës që i kushtoi një vëmendje të veçantë balonave me ajër të nxehtë ishte jo më pak se vetë Benjamin Franklin-i, i cili kishte qenë i pranishëm në spektaklin mbretëror në Versajë.

Jo shumë kohë më vonë, ai i shkroi nga Parisi një miku në Amerikë: “Pesë mijë balona, të afta për të ngritur nga dy burra secila, nuk mund të kushtonin më shumë se sa nje anije; dhe ku është ai gjeneral që mund të përballojë një gjë të tillë për të mbuluar vendin e tij me trupa për mbrojtjen, pasi dhjetë mijë burra që zbresin nga retë mund të bëjnë nje dëm të pafundmë, përpara se të mblidhej një forcë për t’i zmbrapsur ata”.*

Megjithatë, ideja e një force ajrore vazhdon të përhapet në Evropë. Në vitin 1803, John Money, një nga aeronautët e parë të Anglisë, i kërkoi Ushtrisë Britanike të adoptonte balona në operacionet e tyre në terren. Në pamfletin e tij të përhapur gjerësisht, “Një traktat i shkurtër mbi përdorimin e balonave dhe Observatorit në terren në ushtri”, ai prezanton argumentet e tij në lidhje me përdorimin e balonave me ajër të nxehtë në luftërat e ardhshme në Evropë.

Fatkeqësisht, përpjekjet për fluturim në Janinë u ndërprenë nga aksidenti, megjithatë vizioni i Aliut për të pasur një fluturim me balonë me ajër të nxehtë në oborrin e tij përveç asaj që ofronte si argëtim për publikun, mund të ketë pasur edhe qëllime ushtarake. Si ideator dhe mbështetës i kësaj nisme, Ali Pasha Tepelena mund të konsiderohet një nga pionierët e hershëm të fluturimit në historinë shqiptare. Falë poezisë satirike të Vilaras mbi fluturimin e dështuar në Janinë, kemi këtë dëshmi me vlerë për historinë e jugut shqiptar.

Në udhëpërshkrimet e tij, mjeku britanik Dr. Henry Holland, përmend një takim në Thesali me Dr. Ioanis Vilaras. Dr. Holland, i cili kishte qëndruar në Janinë si mik i Ali Pashës dhe i kishte bërë atij një vizitë shëndetësore, u trajtua si një personazh i rëndësishëm që mund të lëvizte pa pengesa në territoret e pashait shqiptar. Në Thesali ai kishte vizituar kampin ushtarak të Veli Pashës dhe atje ishte njohur me mjekun e ri që i kishte tërhequr vëmendjen.

Si një person i shkolluar ne Europë dhe lexues i veprave te filozofëve antikë, Dr. Vilaras dukshëm i kishte lënë përshtypje të veçantë aq sa dhe doktorit anglez. Holland në udhëpërshkrimet e tij ka lënë një portret të Vilaras. I veshur me rroba orientale duke tymosur një pipë të gjatë siç ishte moda e kohës, duket se Dr. Vilaras ndihej shumë komod në mjedisin oriental të Veli Pashës.

Siç përmendet më sipër Dr. Vilaras ishte mjek i oborrit, njeri i besuar i Ali Pashës dhe për tepër poet, i cili përveç kësaj poeme satirike ka lënë disa vëllime me poezi. Një nga poezitë e tij më pak të njohura, por mjaft impresionuese, është dedikimi i gdhendur në gur që qëndronte deri në vitin 1997 mbi Portën e Kalasë së Porto Palermos, si një dëshmi e madhështisë së Ali Pashë Tepelenës.*

Megjithëse Dr. Vilaras është emër i respektuar në poezinë dhe letërsinë greke, fatkeqësisht njihet shumë pak për kontributin e tij për të mundësuar një lloj përqasje në shkrimin e shqipes, gjuhë që duhet ta ketë njohur mirë. Eksperienca e Dr. Vilaras me oborrin e Janinës duket se është e lidhur me kthimin e tij pas studimeve në Itali, periudhë kjo gjatë të cilës u bë mjek personal i Veli Pashës, djalit plangprishës së Aliut, i cili për një kohe ishte Guvernator i Moresë, një territor ky të cilin e qeveriste në emër të të jatit.

Nga udhëpërshkruesit e kohës që patën fatin ta takonin, mësojmë se Veli Pasha kishte mbledhur pranë vetes një numër intelektualësh të kohës të cilët kishin sjellë pranë “oborrit” të tij një frymë liberale dhe europiane. Pjesë e këtij enturazhi ishte edhe Dr. Vilaras. Duke pasur parasysh jo vetëm numrin e madh të oborrtarëve grekë në shërbimin e Ali Pashës, por dhe frymën intelektuale të kohës, ende të paprekur nga nacionalizmi ekstrem, Dr. Vilaras me shumë mundësi dhe si një sprove intelektuale u përpoq të krijonte një lloj fjalori greqisht-shqip.

Dorëshkrimi i Dr. Vilaras ndodhet ne arkivin e Bibliotekës Nacionale në Paris, dhuruar nga Konsulli Francez në Janinë, personazhi i njohur François Poqueville. I vetëdijshëm për rëndësinë e këtij dorëshkrimi, Poqueville e përmend, por pa e përfshirë në botimin tashmë të njohur të tij mbi udhëtimet në Epir dhe jetën në oborrin e Ali Pashës Tepelenës.

Ky dorëshkrim u publikua nga Faik Konica në revistën e tij “Albania” që në vitin 1898, por duket se pati shumë pak ndikim në qarqet intelektuale të kohës. Në dorëshkrimin e Vilaras gjendet edhe një mbishkrim nga ai vetë, ku përdor gjuhën shqipe, dhe shkruan: “30 Oktomvrit 1801 Vagopolja, mik tëndë Jatroi Vellara”, çka na bën të mendojmë se doktor Vilara e zotëronte shqipen në një nivel të pranueshëm.

Në poezinë e Vilaras “Balona”, që për herë të parë vjen në shqip në përkthimin e Aleksandër Vasilit, përveç figurave mitologjike që vijnë nga antikiteti grek, si farkëtari Hermesi dhe Ciklopi i verbër, Vilara krahason Pahomiun, që dëshiron të fluturojë veshur me gunën e tij të shkurtër, si një pasardhës i Ikarit të Delosit, vdekatarit të parë që kërkoi të fluturonte. Megjithatë, Dr. Vilara, në poezinë e tij satirike, tallet edhe me të marrët që kërkojnë të krahasohen me Montgolfierët francezë dhe me Blanchardin e njohur, deri në atë kohë, si piloti i parë profesionist i balonave me ajër.

Vëllezërit Montgolfier dhe historia e tyre janë të njohura në përgjithësi, por edhe piloti Jean Pierre Blanchard, i apasionuar pas fluturimeve me balona me ajër dhe më vonë me hidrogjen, ishte ndër emrat më të famshëm të epokës. Fluturoi në disa vende europiane, ku demonstroi për publikun edhe hedhjen me parashutë. Ishte i pari pilot që fluturoi në kontinentin amerikan. Mbërritja e tij në Amerikë është pasqyruar gjerësisht nga shtypi i kohës; por për t’u shënuar është edhe mbështetja e madhe që mori nga vetë gjenerali George Washington(*)./Peizazhe.com

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit