Transmetuar më 28-03-2025, 08:05

Tiranë- Një inspektim i kryer në Digën e Liqenit të Bovillës, një nga veprat e rëndësisë së veçantë ne vend sidomos për kryeqytetin ka nxjerrë në pah një sërë problematikash që nga mungesa e monitorimit e deri tek ndërhyrjet e paautorizuara.

Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha në një mbledhje të mbajtur në muajt e parë të këtij viti nënvizon se është konstatuar që monitorimi i kësaj dige të madhe mjaft të rëndësishme nuk kryhet në përputhje me kërkesat e legjislacionit.

“Prej shumë vitesh, në digë nuk është kryer ndonjë monitorim gjeodezik, sizmik, hidrogjeologjik dhe gjeologjik me instrumente. Instrumentet e Sistemeve të monitorimit të digës janë jashtë funksionit. Ekipi i UKT që administron këtë digë nuk disponon të dhëna të monitorimit me instrumente të digës që prej më se 10 vitesh.

Në digë dhe në zonën poshtë saj nuk ka asnjë sistem alarmi për rastet e emergjencave civile megjithëse, bazuar në legjislacionin në fuqi, kjo digë me lartësi 91 m dhe me rezervuar me volum uji prej më se 78 milion m3 konsiderohet vepër e rëndësisë së veçantë.

Duke patur parasysh edhe faktin se poshtë kësaj dige banojnë më se 100 000 banorë që përfshihen në hartën e përmbytjeve për shkak të shfrytëzimit të kësaj dige si dhe legjislacionin për sigurinë e digave është emergjente instalimi i një sistemi alarmi bashkëkohor për sinjalizim në kohë reale të emergjencave civile” thuhet në dokument.

I njëjti nënvizon se gjatë kontrollit në terren u vu re se në anën e djathtë të digës, afro 500 m larg saj vërehet një çarje e madhe e një masivi shkëmbor, problematika e të cilit është identifikuar prej vitesh nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe UKT por deri me sot nuk është ndërmarre asnjë masë për identifikimin dhe monitorimin e madhësisë së kësaj çarje ndër vite dhe eliminimin e rrezikshmerinë që mund të ketë për shfrytëzimin dhe sigurinë e digës.

Një tjetër konstatim gjatë vizitës në terren ishte edhe ajo për disa punime mbushje dhe betoni për një rrugë këmbësore turistike në zonën e shkarkuesit katastrofik të digës të cilat krijojnë probleme për funksionimin e shkarkuesit gjatë shfrytëzimit të digës si dhe për sigurinë e lëvizjes së njerëzve që nuk janë personel i UKT.

Lidhur me këto Komiteti ka kërkuar ndërhyrje si dhe ndalimin e punimeve dhe kthimin e terrenit në gjendjen fillestare në pjesën e shkarkuesit katastrofik./ Monitor

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit