Transmetuar më 27-03-2025, 23:07

Washington- Tani Europa e di çfarë mendon privatisht administrata Trump.

Evropianët kanë reaguar me zemërim dhe habi ndaj publikimit të pjesëve të një bisede në chat, ku përfaqësues të qeverisë amerikane, përfshirë nënpresidentin J. D. Vance dhe sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, shprehnin “urrejtje” dhe “neveri” ndaj Evropës.

Dje, për të mbrojtur zëvendëspresidentin dhe kreun e Pentagonit, Donald Trump e forcoi akoma më shumë pozicionin, duke deklaruar publikisht: “Mendoj se evropianët janë parazitë”.

Por edhe në Shtetet e Bashkuara rasti ka shkaktuar siklet. Deputeti republikan nga Nebraska, Don Bacon, e ka kritikuar hapur chat-in: “Mënyra se si urrejnë Evropën është e turpshme”.

Shumë konservatorë ndihen prej kohësh në siklet për shkak të sulmeve që administrata Trump lëshon ndaj aleatëve historikë.

Vance përshkruhet si “më anti-evropian” se vetë Trump. Ai kishte sulmuar tashmë aleatët në konferencën e Mynihut, kur kishte përmendur një “vetëvrasje të qytetërimit”.

Por tronditëse ishin fjalët në chat-in privat në platformën Signal, të cilat dolën në dritë sepse gabimisht, ishte futur në bisedë edhe drejtori i revistës The Atlantic, Jeffrey Goldberg, i cili publikoi disa pasazhe.

Një nga çështjet ishte vendimi për të sulmuar Houthi-t në Jemen, për të siguruar rrugët tregtare. “E urrej thjesht që po më duhet të shpëtoj përsëri Evropën”, kishte shkruar Vance. “E ndaj neverinë tënde për Evropën, që përfiton pa paguar – është patetike”, i ishte përgjigjur Hegseth. “Por Mike ka të drejtë, jemi të vetmit në botë që mund ta bëjmë këtë. Është vetëm problemi i kohës”.

Në të vërtetë, më shumë se njëzet vende janë të përfshira në mbrojtjen e anijeve tregtare në ato rrugë. Italia, për shembull, e ka shprehur pozicionin e saj përmes ministrit të Jashtëm.

Antonio Tajani komentoi: “Duke thënë që fjala ‘urrejtje’ nuk më pëlqen dhe nuk është pjesë e fjalorit tim, dua të kujtoj se ne i mbrojmë vetë anijet tona tregtare, me Marinën tonë Ushtarake që ka rrëzuar disa dronë të lëshuar nga Houthi-t. Ndoshta Vance, që është i sapo ardhur në detyrë, nuk e njeh mirë kontekstin, por ne jemi pjesë e disa operacioneve bashkë me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar”.

Angela Rayner, zëvendëskryeministrja britanike, tha se «u takon Shteteve të Bashkuara të sqarojnë deklaratat e bëra në privat», por përsëriti forcën e marrëdhënieve me SHBA-në.

Ndërkohë, Mike Martin, anëtar i Komisionit të Mbrojtjes, ishte më pak diplomatik: “Zëvendëspresidenti amerikan dhe sekretari i Mbrojtjes e urrejnë Evropën, ndërsa përpiqen t’i nxjerrin para”.

Qeveritë evropiane kanë tentuar ta ulin tonin. Qeveria gjermane u mjaftua të thotë se “ka lexuar lajmet”.

Ndërkohë, gjenerali francez Michel Yakovleff, që ka punuar për NATO-n, i quajti autorët e chat-it një “tufë idiotësh të paaftë dhe arrogantë”.

Politikat e administratës Trump po shfaqen gjithnjë e më qartë. Në një podcast të fundit, i dërguari për Lindjen e Mesme dhe Ukrainën, Steve Witkoff, mbështeti idenë se ekonomitë e Gjirit mund të zëvendësojnë ato evropiane. “Ato mund të jenë shumë më të fuqishme. Evropa e sotme është jofunksionale”.

Moderatori, Tucker Carlson, mik i ngushtë i Trump-it, shtoi: “Do të ishte mirë për botën, sepse Evropa po vdes”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit