

KOSOVË- Duke nisur nga 1 prilli, qytetarët e Kosovës pritet t’i marrin me rritje faturat për energjinë elektrike të konsumuar. Operatorë të energjisë kanë kërkuar që t’u lejohet rritja e të hyrave maksimale. E në rast se kjo kërkesë do të marrë miratim, atëherë do të përkthehet në rritje të tarifave me 35%. Pasojat nga ky shtrenjtim po paralajmërohen të jenë të mëdha.
Data 1 prill, që njihet si dita e gënjeshtrave, nuk do të jetë e tillë për qytetarët e Kosovës. Në po këtë ditë, ata do të mund të përballen me një të vërtetë të madhe – faturat e energjisë elektrike do t’i marrin më të larta me 35%.
Kërkesa për shtrenjtim të energjisë është bërë nga tri kompanitë energjetike në Kosovë, e cila po shqyrtohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.
Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit të ZRrE-së, ka thënë se deri më 1 prill pritet që të dalin me vendim.
“Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave.
Aktualisht jemi duke i shqyrtuar këto kërkesa dhe pas shqyrtimit dalim me propozime. Besoj diku nga fundi i marsit deri më 1 prill afërsisht dalim me vendim”.
Tashmë janë bërë publike edhe letrat e tri kompanive në fjalë, të cilat kanë dhënë arsyet dhe shpjegimet për shtrenjtimin e energjisë.
“Furnizuesi me Shërbim Universal (FShU) ka përgatitur Aplikimin për të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin 2025, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në rregulloren për Përcaktimin e të Hyrave për Furnizuesin me Shërbim Universal (Rregullën për të Hyrat e FSHU-së).
KESCO mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me qëllim që të arrihen konkluzione të përbashkëta, të cilat janë në interes të të gjithë pjesëmarrësve në sektorin e energjisë”, thuhet në letrën e KESCO.
“Përmes kësaj letre, ju dërgojmë Aplikimin për të Hyrat e Lejuara Maksimale të përgatitur nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes(OSSH) për vitin 2025.
Ky Aplikim është hartuar në përputhje me Rregulloren për të Hyrat e Lejuara Maksimale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (Rregulla për të Hyrat e OSSH) dhe njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, të datës 20 dhjetor 2024, për hapjen e procesit për përshtatjen vjetore të të hyrave dhe tarifave për vitin 2025” – është thënë në kërkesën e KEDS-it.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë, më datën 20 dhjetor 2024, ka hapur procesin e azhurnimeve vjetore të të hyrave të lejuara maksimale për operatorët e rregulluar për vitin 2025, duke u bazuar në Rregulla për të hyrat e lejuara të licencave.
KOSTT ka përgatitur aplikacion për azhurnimet vjetore të të hyrave ku janë paraqitur të dhënat e realizuara për vitin 2024 si dhe parashikimet për vitin 2025” – thuhet në kërkesën e KOSTT.
Shtrenjtimi i energjisë godet bizneset dhe investitorët
Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se tre operatorë të energjisë elektrike tashmë kanë adresuar në ZRRE kërkesën për rritje çmimi deri në 35% të energjisë.
Sipas Gërxhaliut, vlera që këta operatorë kishin në dispozicion gjatë vitit të kaluar ishte 545 milionë euro, duke e cilësuar goditje me efekte negative.
“Është më se e vërtetë që kërkesa nga tre operatorë është adresuar te Rregullatori i Energjisë Elektrike në fillim të shkurtit 2025. Është e vërtetë që kërkesa e adresuar nga këndvështrimi i tyre është për ngritje të çmimit të energjisë me 35%.
Në vitin 2024, këta tre operatorë kanë pasur në dispozicion 400 milionë euro për furnizim me energji elektrike dhe stabilizim. Në këtë drejtim, për vitin 2025, kërkohen 545 milionë euro, një goditje e cila besoj se do të ketë efekte negative”.
Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka shprehur shqetësimin e tij për paralajmërimet mbi rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se një vendim i tillë nuk do të ishte i mirë për ekonominë e vendit.
“Paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike mund të themi se nuk janë të mira, por nuk do të thotë se do të ndodhë një shtrenjtim i tillë”.
Sipas tij, nëse kjo rritje ndodh, çmimi i energjisë në Kosovë mund të tejkalojë atë të disa vendeve të Bashkimit Europian, madje edhe me vende si Bullgaria, Rumania dhe Kroacia.
“Prandaj nëse kjo do të ndodhte, energjia elektrike në Kosovë do të ishte aq e lartë sa do të krahasohej me vendet e Bashkimit Europian, bile ndoshta edhe më shumë se disa vende si Bullgaria, Rumania e Kroacia”.
Shahini ka theksuar se energjia elektrike është një produkt kyç për ekonominë dhe familjet kosovare dhe duhet të mbrohet me çdo kusht si një vlerë stimuluese për investitorët e huaj.
Ai ka paralajmëruar se tejkalimi i çmimit mesatar të energjisë në Ballkanin Perëndimor do ta bënte Kosovën më pak konkurruese dhe më pak tërheqëse për investime të reja.
Një rritje e tillë, sipas Shahinit, do të shkaktonte pasoja zinxhir negative, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.
Edhe Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me kërkesën e KESCO-s, KOST-it dhe KEDS-it drejtuar Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
LBK, duke kundërshtuar rritjen e tarifave, thotë se kjo pritet të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit dhe në sektorin privat.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të rëndojë ndjeshëm bizneset prodhuese dhe ato të shërbimeve, duke rritur kostot operative dhe duke ulur konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve të Kosovës, si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Një vendim i tillë do të krijojë një efekt zinxhir, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve për konsumatorët dhe në fuqinë blerëse të qytetarëve”, thuhet në reagimin e LBK.
LBK thekson më tej se një rritje e tillë e tarifave do të detyrojë bizneset të përballen me kosto shtesë, gjë që mund të çojë në rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, ulje të investimeve dhe, potencialisht, humbje të vendeve të punës.
Qeveria hesht, opozita kritikon
Ndaj kërkesave të kompanive për rritje të çmimit të energjisë ka reaguar opozita.
Zyrtarët e PDK-së dhe LDK-së kanë drejtuar gishtin nga Qeveria Kurti.
Ata kanë bërë të ditur se qeveria aktuale e ka përgatitur terrenin për rritje të çmimit të rrymës.
Kandidati i PDK-së për deputet, Ferat Shala, ka thënë se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.
“Është afati ligjor i shikimit të tarifave dhe institucionet e shtetit duhet të parapërgatiten për këtë fazë. Nga ajo që shihet, qeveria në shkurt e ka përgatitur terrenin për një rritje të çmimit të energjisë për muajin që vjen e kjo s’do duhej të ndodhte”.
Ai ka akuzuar Qeverinë për vazhdimin e logjikës së keqqeverisjes në sektorin energjetik.
Kandidatja për deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka vlerësuar se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë, nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë.
Bajrami ka kritikuar Qeverinë Kurti se në këtë mandat nuk ka bërë asnjë investim për shtimin e kapaciteteve për prodhimin e energjisë.
“Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë: A do të rritet sërish çmimi i energjisë elektrike? Në mandatin e kaluar, kjo qeveri dyfishoi çmimin e energjisë elektrike.
Sipas raportimeve të mediave, kompanitë e sektorit të energjisë kanë kërkuar një rritje tjetër të çmimit prej rreth 35%, që do të jetë barrë e papërballueshme për ekonomitë familjare dhe bizneset”.
Për kërkesat për shtrenjtim të energjisë elektrike, të cilat mund ta marrin ankimin në ZRRE-së, qeveritarët nuk e kanë parë të arsyeshme të deklarohen.
Ministria e Ekonomisë ka përmendur vetëm mënyrën se si funksionon ZRRE-ja, por nuk jepet qëndrim rreth mundësisë që rëndohet barra e qytetarëve me faturat e rrymës.
“Rregullatori i Energjisë (ZRRE) është institucion i pavarur, i cili ushtron kompetencat për rregullim të sektorit të energjisë dhe bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Lidhur me çështjen për të cilën keni shtruar pyetje, ju lutem drejtojuni komunikatës së fundit të lëshuar nga ZRRE”.
Sa kushton energjia aktualisht?
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët e amvisërisë, komercialë dhe industrialë me 3%.
Por, një vit më parë, më 2023, tarifat u rritën me 15% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i energjisë gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.
Parashikimet për këtë vit janë që të importohen 318 GWh.
Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.6 milionë banorëve të saj me energji, për këtë arsye edhe importon nga bursat e huaja.
Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e tij, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë. Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B./Monitor.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd