Deri në fund të vitit 2023, stoku i investimeve të huaja direkte nga vendet e Bashkimit Europian në Shqipëri arriti në gati 6 miliardë euro. Kjo shifër përfshin investimet totale që janë bërë në vite nga shtete të ndryshme të BE-së.
E dhëna është bërë e ditur në bazën e të dhënave të Eurostat. Vetëm në vitin 2023, investimet e huaja nga vendet e BE-së në Shqipëri ishin 457 milionë euro.
“Monitor” ka krahasuar stokun e investimeve të huaja nga BE në vendet e rajonit, në raport me madhësinë e ekonomisë përkatëse (prodhimin e brendshëm bruto-PBB) për të parë se cili shtet ka arritur të tërheqë më shumë investime në periudhën e tranzicionit.
Nivelin më të lartë të investimeve të huaja e ka pasur Maqedonia e Veriut, stoku i të cilës është sa 29.3% e PBB-së në fund të vitit 2023.
Maqedonia e Veriut ka fituar shpesh garën e investimeve të huaja me Shqipërinë vitet e fundit, duke ofruar një sistem më të thjeshtë fiskal, zona të lira ekonomike, lehtësi tatimore, madje duke reklamuar dhe dalje në det nga Porti i Durrësit. Shumë kompani që tentuan të hynin në Shqipëri vitet e fundit, si kompania amerikane Johnson Control në prodhimin e pjesëve automotive, kanë hapur disa fabrika në Maqedoni.
Jo vetëm investimet e huaja, por edhe shumë sipërmarrës shqiptarë u joshën nga politikat e Maqedonisë për tërheqjen e investimeve të huaj.
Serbia është shteti i dytë që ka arritur të tërheqë më shumë investime të huaja nga vendet e BE-së, duke “marrë” dhe ajo investitorë që kishin shfaqur interes për Shqipërinë, si “Geox”, apo “Ferrero Rocher”.
E treta në rajon renditet Mali i Zi, me 26.2% të PBB-së. Ndërsa Shqipëria, me 26% të PBB-së lë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën, e cila dhe për shkak të probleme të saj mes dy entiteteve ka arritur të tërheqë vetëm 1706% të PBB-së investime të huaja deri në fund të vitit 2023.
Investimet e BE-së në botë Sipas Eurostat, stoku neto i investimeve të huaja direkte (IHD) të mbajtura në vendet jo-BE nga investitorë rezidentë në BE arriti në 9 160 miliardë euro në vitin 2023, duke reflektuar një rënie prej 4.1% nga viti 2022 (9 551 miliardë euro).
Një tendencë e ngjashme ishte e dukshme dhe në stokun e investimeve të mbajtura nga rezidentë jo-BE në BE, të cilat u ulën në 7 446 miliardë euro në 2023, me një rënie prej 5.4% krahasuar me vitin 2022 (7 874 miliardë euro).
Në vitin 2023, pozicioni neto i investimeve të BE-së kundrejt pjesës tjetër të botës mbeti relativisht i qëndrueshëm, me një rritje prej 2.2% krahasuar me vitin 2022.
Në fund të vitit 2023, Shtetet e Bashkuara thithën 26.6% (2 437 miliardë euro) të totalit të stokut të IHD-ve të mbajtura nga BE-ja në pjesën tjetër të botës, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (1 765 miliardë euro, 19.3%).
Më pas renditej Zvicra (755 miliardë euro, 8.2%), Brazili (312 miliardë euro, 3.4%) dhe Singapori (263 miliardë euro, 2.9%). Më shumë se 2% e stokut të investimeve të BE-së shkoi në Kanada (2.7%), Kinë përveç Hong Kongut (2.5%), Rusi (2.4%), Bermuda (2.3%), Meksikë (2.3%) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (2.0 %). /Monitor
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd