Spitali ‘Shefqet Ndroqi’ ka pezulluar menjëherë nga puna mjekun radiolog Pëllumb Hysko dhe laborantin Artur Zeko, pas publikimit në emisionin "stop’ të një episodi ku mjeku ngacmon seksualisht pacienten.
Deklaratë e Spitalit “Shefqet Ndroqi”:
Pas publikimit të rastit tronditës në emisionin “Stop”, mjeku radiolog Pëllumb Hysko dhe tekniku laborant Artur Zeko janë pezulluar menjëherë nga detyra. Drejtuesit e spitalit kanë urdhëruar fillimin e një hetimi disiplinor dhe të Këshillit të Etikës për të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë rast të paprecedent.
Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe çdo sjellje abuzive me pacientët. Abuzimi seksual është jo vetëm një veprim kriminal, por një shkelje e rëndë e besimit dhe etikës mjekësore, së cilës i jemi përkushtuar. Të gjithë ne mjekët dhe punonjësit e Spitalit “Shefqet Ndroqi” jemi thellësisht të tronditur, të tradhtuar dhe të revoltuar nga veprimet e kolegëve tanë. Por, duam të sigurojmë qytetarët se do të vijojmë të qëndrojmë në mbrojtje të shëndetit, dinjitetit dhe mirëqenies së tyre.
Falënderojmë emisionin “Stop” për denoncimin e këtij rasti abuziv dhe inkurajojmë çdo qytetar dhe media të bëjnë të njëjtën gjë nëse ndodhen perpara situatave te shemtuara qe kompromentojnë misionin fisnik të mjekut dhe të personelit tonë, të cilët shërbejnë për të shëruar dhe shpëtuar jetë njerëzish.
Ky rast na bën të ndiejmë përgjegjësinë për t’u kërkuar ndjesë publike qytetarëve dhe sigurojmë publikun se çdo rast i ngjashëm do të marrë përgjigjen e merituar ligjore në bashkëpunim me organet përkatëse, duke siguruar ndëshkimin e individëve që kompromentojnë misionin e shenjtë të mjekut.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd