Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të mbledhë sot në një drekë pune në Bruksel liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Mësohet se të pranishëm në drekën e punës do të jenë kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “axhendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.
Von der Leyen ka qenë e angazhuar në promovimin e këtij plani, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhej të përgatisnin një agjendë reformash, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së. Bosnje e Hercegovina është e vetmja në rajon e cila, për shkaqe të brendshme politike, nuk e ka bërë ende.
Nga ana tjetër, Kosova, ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian. Gjatë prezantimit të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas një apo dy vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera.
Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd