Transmetuar më 24-04-2024, 21:54

Më Maqedoninë e Veriut, pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhje ishte dukshëm më e ulët se herët e kaluara ndërsa e kundërta ndodhi me maqedonasit që ishin më të shumtë sot në votime se zgjedhjet e shkuara.

Kjo pasoi daljen në raundin e dytë të dy kandidatëve maqedonas dhe asnjë shqiptar nuk kualifikohet për raundin e dytë, raporton noa.al.

Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kandidatja e partisë opozitare, VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, po prin bindshëm në garën për kreun e shtetit.

Ajo e konsideron akoma të hapur Marrëveshjen e Prespës, që ka të bëjë me ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, që i hapi rrugën këtij vendi për anëtarësim në NATO.

Sipas rezultateve të publikuara nga 71,19 për qind e votave të përpunuara, gjegjësisht 2,490 nga gjithsej 3,508 vendvotime, kryeson kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova me 247,366 vota (39,15%), para Stevo Pendarovskit nga LSDM me 121.228 vota (19,19%). Ajo ishte kandidate e VMRO-së për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019. VMRO-DPMNE është partia që drejtohej nga Nikola Gruevski, aktualisht në azil në Hungari, një ish kryeministër që punoi fort për të penguar shqiptarët të ushtronin të drejtat e tyre.

Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, ka marrë 97.592 apo 18.66 % të votave.

Presidenti i ri do të zgjidhet në raundin e dytë zgjedhjeve, ku do të shkojnë dy kandidatët me më shumë vota, pasi në raundin e parë kërkohet që presidenti të zgjidhet me 50 për qind të votave nëse pjesëmarrja në zgjedhje del mbi 40 për qind e elektoratit.

Në zgjedhje morën pjesë mbi 49 për qind e pak më shumë se 1.8 milionë votuesve ose gati 19 për qind më shumë se zgjedhjet e mëparshme.

Ajo që vërehet me shqetësim është se në vendbanimet shqiptare shkalla e daljes në votime është më e ulët për dallim nga ato ku popullata maqedonase përbën shumicën.

Në garën për president të Maqedonisë së Veriut janë Stevo Pendarovski i LSDM-së, i cili garon për një mandat të dytë, Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së, Bujar Osmani i koalicionit Fronti Evropian i drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Arben Taravari i koalicionit VLEN, Maksim Dimitrievski i partisë “Znam”, Stevçe Jakimovski i Opsionit Qytetar për Maqedoninë dhe Biljana Vankovska e partisë “E Majta”.

Bujar Osmani i Frontit Evropian thotë se këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e vendit:

“Për shkak se shteti është në udhëkryq. Dy opsione janë para nesh dhe qytetarët duhet të vendosin për një prej këtyre opsioneve: integrimin apo izolimin. Por sot shpresoj fillimisht se zgjedhjet do të kalojnë në rend më të mirë; qytetarët të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre”, tha zoti Osmani.

Arben Taravari i koalicionit VLEN thotë se është me rëndësi që zgjedhjet të jenë të drejta dhe demokratike.

“Sot është dita kur sovrani vendos se kush duhet të fitojë zgjedhjet; për cilin duhet të japë mbështetje dhe përkrahje dhe kushdo qoftë që merr më shumë përkrahje ne do t’ia urojmë dhe shpresoj se 8 maji do të jetë ditë edhe më e rëndësishme se sot 24 prilli, kur mbahen zgjedhjet parlamentare. Uroj dhe shpresoj të shkojë në atmosferë demokratike dhe tëë drejtë”, tha zoti Taravari.

Zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të 8 majit shikohen me interes të madh nga publiku jo vetëm në Maqedoninë e Veriut për shkak të besimit në rënie për BE-në dhe zvarritjen e procesit të integrimit apo dhe për debatet mbi ndikimin keqdashës të Federatës Ruse.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit