Transmetuar më 01-11-2022, 17:13

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko, i ka bërë thirrje grupit të 20 ekonomive më të mëdha në botë që të dëbojnë Rusinë dhe të anulojnë ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin, në samitin e G20-s.

Në një postim në Twitter më 1 nëntor, ai tha se fakti që Putini e pranoi publikisht se ai urdhëroi sulmet me raketa ndaj civilëve ukrainas dhe infrastrukturës energjetike do të thotë se “duart e tij [janë] të njollosura me gjak” dhe se “ai nuk duhet të lejohet të ulet në tryezë me liderët botërorë.”

Ky samit do të mbahet në Bali të Indonezisë në nëntor, e cila aktualisht udhëheq me presidencën e G20-s.

Lideri i Indonezisë, Joko Widodo, tha më 19 gusht se presidenti rus, Vladimir Putin, do të marr pjesë në samit.

Xhakarta u vu nën presionin e Perëndimit për të mos e ftuar Putinin në takimin e G20-s, pasi Indonezia njoftoi në prill se e kishte ftuar liderin rus.

Por, Indonezia ka mbajtur një pozicion neutral duke bërë thirrje për zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë dhe Widodo më herët gjatë këtij viti k a vizituar edhe Kievin, edhe Moskën.

Indonezia po ashtu ka ftuar në samit edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në përpjekje për të gjetur një kompromis midis Moskës dhe Kievit.

Zelensky, shteti i të cilit nuk bën pjesë në grupin e 20 ekonomive më të mëdha në botë, ka thënë se ai do të marrë pjesë në samit, të paktën përmes video-lidhjes.