Transmetuar më 19-04-2021, 21:09

Kandidati i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj foli për incidentin e pasdites ku një zyrtar i PD u plagos në zyrën elektorale me armë zjarri.

Xhafaj shprehet se autorët sipas tij duhet të vendosen para drejtësisë.

Ai shton se autoritetet duhet të veprojnë me shpejtësi dhe shprehet i bindur se ngjarja nuk ka lidhje me politikën.

“Ngjarje si kjo e sotmja nuk përfaqësojnë kulturën dhe qytetarinë e Kavajës. Jam i bindur se ngjarja nuk ka lidhje me politikën dhe ne që garojme për zgjedhjet e 25 Prillit duhet të jemi të parët që jo vetëm ta denojmë aktin e sotëm, por edhe mos ta politizojmë këtë ngjarje. Zgjedhjet duhet te jenë festë dhe kështu do të jenë në Kavajë e gjithë Shqipërinë. Autoritetet duhet të veprojnë me shpejtësi dhe autorët duhet të vendosen një orë e më parë para drejtësisë. Shërim sa më të shpejtë për djalin e përfshirë në ngjarje”, shprehet Xhafaj, kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Kavajë.

Çfarë ndodhi sot në Kavajë

Sekretari i fushatës elektorale të PD në Kavajë, Bledar Oshtuni është plagosur sot pasdite me armë zjarri pasi tre persona të armatosur hynë në selinë demokrate dhe hapën zjarr duke e lënduar në këmbë.

Grida Duma, kandidate për deputete e PD tha se ky ishte një sulm politik. Ajo tha publikisht se ishin tre persona, ndër të cilët drejtori i policisë bashkiake dhe dy persona të tjerë që Duma tha se janë emra pranë PS. Duma përmendi emrat Ndriçim Onuzi, Markel Shtylla dhe Dorian Troplini.

Për në vendngjarje kanë shkuar zyrtarë demokratë mes të cilëve dje kreu i tyre, Lulzim Basha.

Sakaq policia doli zyrtarisht dhe tha se gjithçka ndodhi sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, kur shtetasi Ndriçim Jonuzi, dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.

Forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të Qytetit për kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./noa.al/