Transmetuar më 19-04-2021, 19:42

Të shtëna me armë zjarri brenda një zyre elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë, plagoset sekretari i PD së qytetit, kryetari demokrat niset drejt vendngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur para pak minutash duke shkaktuar plagosjen e një qytetari, raporton noa.al.

Personi i plagosur është Bledar Oshtuni, 27 vjeç nga Kavaja, sekretar i PD për Kavajën. Ai është plagosur në këmbë pas sulmit me armë zjarri.

Ishin tre persona që hynë në selinë demokrate dhe hapëm zjarr duke plagosur të riun që gjendej brenda zyrës elektorale.

Grida Duma, kandidate për deputete e PD tha se ky ishte një sulm politik. Ajo tha publikisht se ishin tre persona, ndër të cilët drejtori i policisë bashkiake dhe dy persona të tjerë që Duma tha se janë emra pranë PS. Duma përmendi emrat Ndriçim Onuzi, Markel Shtylla dhe Dorian Troplini.

Për në vendngjarje kanë shkuar zyrtarë demokratë mes të cilëve dje kreu i tyre, Lulzim Basha, raporton noa.al.

Sakaq policia doli zyrtarisht dhe tha se gjithçka ndodhi sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, kur shtetasi Ndriçim Jonuzi, dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.

Forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të Qytetit për kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në këtë lajm gjeni dhe pamje nga vendi i krimit.