Operacioni anti-drogë Itali-Shqipëri, kush është i riu i arrestuar në Fier (Emri)
Transmetuar më 23-02-2021, 13:45

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me operacionin ndërkombëtar të drogës në Itali ditën e sotme, ku mes të arrestuarve është edhe një shtetas shqiptar.

Sipas Policisë së Shtetit, operacioni policor i koduar “MIRACOLO II”, u zhvillua në të njëjtën kohë në Itali e Shqipëri , nga Policia italiane, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe UCI Albania.

Nga Policia e Shtetit u angazhuan forcat speciale RENEA, Fast Albania, Interpol Tirana, Drejtoritë Vendore të Policisë Fier, Tiranë dhe Elbasan. Deri tani, gjatë këtij operacioni në Itali, janë arrestuar 33 persona.

Ndërsa në Shqipëri, në kuadër të operacionit “MIRACOLO II”, është arrestuar në Fier me qëllim ekstradimi në Itali, 28-vjeçari, Rosman Sulo.

Operacioni “MIRACOLO II” është në vijim të operacionit ” MIRACOLO I”, që ka nisur në vitin 2018, me arrestimin e italianit Santo Tucci, i cili u kap me 27 kg hashash, 1.7 kg kokainë dhe 2 pistoleta.

Në kuadër të të dy operacioneve ” MIRACOLO I” dhe “MIRACOLO II” janë sekuestruar 4 kg kokainë, 35 kg hashash, 52 kg marijuanë, 260 mije euro, 2 pistoleta me silenciator dhe fishekë. /e.a/noa.al/

Lexo edhe:

Trafik droge mes Shqipërisë e Italisë, goditen dy grupe kriminale (Foto-Video)