“Iki nëse uji në Tiranë s’është më i lirë se në Korçë”, Bozdo i nxjerr dokumentet Veliajt: Dorëhiqu sot
Transmetuar më 25-09-2020, 14:18

Demokrati Eno Bozdo reagon ndaj deklaratës së kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ditën e djeshme deklaroi publikisht se çmimi i furnizimit me ujë i Tiranës është më i lirë se ai i Korçës dhe Pogradecit, dhe se ai do të jepte dorëheqjen në qoftë se këto fakte nuk qëndronin.

Bozdo nxjerr disa dokumente dhe thotë se asgjë nga kjo deklaratë publike nuk është e vërtetë dhe se qytetarët e Tiranës në fakt paguajnë shumë më tepër se ata të Pogradecit dhe Korçës.

Sipas tij, të dhënat më poshtë janë marrë nga Raporti zyrtar vjetor i Entit Rregullator të Ujit:

-UK Tirane: çmimi është 65 lek/m3 për familjaret, koha e furnizimit me ujë është 10.10 orë në ditë dhe subvencione të marra nga qeveria janë 160,641,000 lekë.

-UK Korça: çmimi është 72 lekë/m3 për familjaret, koha e furnizimit me ujë është 23.5 orë në ditë dhe subvencione të marra nga qeveria janë 20,436,000 lekë.

-UK Pogradec: çmimi është 62 lekë/m3 për familjarët, koha e furnizimit me ujë është 21 orë në ditë dhe subvencione të marra nga qeveria janë 13,624,000 lekë.

Duke cituar këto shifra, Bozdo thotë se qytetarët e Tiranës edhe pse paguajnë sa 90% të çmimit të Korçës, furnizohen vetëm 10.10 orë në ditë, kur qytetarët e Korçës marrin gati 24 ore ujë në ditë.

Në vijim shton se qytetarët e Tiranës edhe pse kanë një çmim më të lartë se qytetarët e Pogradecit, kohëzgjatjen e furnizimit me ujë nuk e kane as sa gjysma e tyre.

“Edhe pse treguesit i ka shume më të dobët se Korça dhe Pogradeci, UK Tiranë ka marrë subvencione nga qeveria rreth 1.4 milionë dollarë për performancë të mirë. Kjo është e vërteta e furnizimit me ujë për Tiranën dhe që haset çdo ditë nga qytetarët në rubinetat e tyre si dhe në faturat mujore që duhet të paguajnë. Kjo është e vërteta për të cilën Erion Velian mashtroi përsëri dje dhe duhet të japë dorëheqjen sot”, shkruan Bozdo.

Ai deklaron se kjo është e vërteta në fakt për gjithçka që ndodh në Tiranë, sepse nën drejtimin e Erion Veliajt, Tirana është qyteti më i shtrenjtë në rajon, më i ndoturi, me trafikun më të rënduar dhe me dendësinë më të madhe të ndërtimeve.

Sipas tij, Tirana është qyteti më problematik për të bërë biznes në rajon, dhe më jomiqësori ndaj biznesit duke patur taksat më të larta.

“Qytetarët e Tiranës i dinë mirë këto fakte, pavarësisht kësaj propagande të neveritshme!”, thotë në mbyllje Bozdo. /a.y/noa.al

Veliaj: Jap dorëheqjen nëse uji në Tiranë nuk është më i lirë se në Korçë