Transmetuar më 21-08-2020, 08:42

Kundërshtari i Presidentit rus, Vladimir Putin, Alexei Navalny, ndodhet i shtruar në terapi intensive, pas dyshimeve se është helmuar.

Por pavarësisht gjendjes së tij në koma, ai nuk do të transferohet jashtë shtetit, për shkak të gjendjes së tij të paqëndrueshme.

Është ky denoncimi i bërë nga zëdhënësja e Navalny, Kira Iarmych, e cila nëpërmjet një mesazhi në Twitter shkroi, “Mjeku përgjegjës për kurimin refuzoi transferimin, duke thënë se lëvizja e tij është rrezik për jetën, për shkak të gjendjes së paqëndrueshme. Ndërkohë që nga ana tjetër është më me rrezik ta lësh në një spital pa pajisjet e duhura në Omsk, të Siberisë”.

Gjatë së enjtes kur u përhap lajmi për një helmim të mundshëm të Navaly, si Gjermania dhe Franca u shprehën të gatshme për ti ofruar kurat mjekësore, dhe nëse duhej edhe azil politik.

U mendua një transferim në Berlin, ku mjekët gjerman ishin gati që ta merrnin, por pala ruse refuzoi.

Navalny u ndje keq gjatë një fluturimi nga Tomsk, në Siberi, për në Moskë.

Piloti u detyrua që të bëjë ulje emergjence në Omsk, duke bërë që të dërgohet me urgjencë në spital.

Nga të dhënat paraprake, mjekët dyshojnë se Navalny është helmuar me një lëng të ngrohtë.

“Mendojmë se Alexei është helmuar me diçka që i është hedhur në çaj. Është e vetmja gjë që piu në mëngjes”, shkroi Yarmysh, lidhur me episodin e ndodhur këtë të mërkurë.

Navalny, i cili nga aktivist në bloger kundër korrupsionit, u kthye në sfidant të hapur të Presidentit rus, Vladiimir Putin, për tu përballur vazhdimisht me presione nga ana e autoriteteve, mes tyre edhe me dënime.

Një vit më parë, Navalny deklaroi se e kishin helmuar teksa ndodhej në burg. /a.y/noa.al

Lideri i opozitës ruse në gjendje të rëndë, i hodhën helm në çaj

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd