


Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, ndodhet në gjendje të rëndë në terapi intensive, pasi dyshohet se e kanë helmuar.
Zëdhënësja e tij Kira Yarmysh, shkroi në Twitter se Navalny u ndje keq gjatë një fluturimi nga Tomsk, në Siberi, për në Moskë.
Piloti u detyrua që të bëjë ulje emergjence në Omsk, duke bërë që të dërgohet me urgjencë në spital.
Nga të dhënat paraprake, mjekët dyshojnë se Navalny është helmuar me një lëng të ngrohtë.
“Mendojmë se Alexei është helmuar me diçka që i është hedhur në çaj. Është e vetmja gjë që piu në mëngjes”, shkroi Yarmysh, lidhur me episodin e ndodhur këtë të mërkurë.
Navalny, i cili nga aktivist në bloger kundër korrupsionit, u kthye në sfidant të hapur të Presidentit rus, Vladiimir Putin, për tu përballur vazhdimisht me presione nga ana e autoriteteve, mes tyre edhe me dënime.
Një vit më parë, Navalny deklaroi se e kishin helmuar teksa ndodhej në burg. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





