
Dalin detaje të reja lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së hënës në Patos, ku një djalë i ri mbeti i plagosur, teksa pesë persona tentuan që ta rrëmbenin.
31-vjeçari Klajdi Sulo u tentua të rrëmbehej pranë fushës së sportit, ku pesë persona tentuan që ta fusin me forcë në makinë.
Por rezistenca e bërë prej tij, bëri që Sulo t’iu ikë nga duart dhe të vrapojë.
Në këto momente autorët e dyshuar kanë qëlluar me armë, ku plumbat e kanë prekur në shpatull dhe në pjesën e legenit.
Aktualisht i plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Policia tha paraditen e sotme se nga hetimet intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e një prej autorëve dhe shpalljen në kërkim të katër autorëve të tjerë.
Konkretisht u arrestua Xh. S., 24 vjeç, banues në Patos si dhe u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e E. S., 28 vjeç; V. S., 23 vjeç; A. S., 24 vjeç dhe K. S., 32 vjeç, të katërt banues në Patos.
Pesë të dyshuarit akuzohen se, rreth orës 19:00 të mbrëmjes së 17 gushtit, në afërsi të Stadiumit në Patos, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë tentuar të rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri 31-vjeçarin Klajdi Sulo, i cili ka mbetur i plagosur dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Fierit, nën kujdesin e mjekëve.
Për këtë ngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja pistolete, si edhe katër automjete të autorëve.
Hetimet janë në vijim lidhur me këtë ngjarje, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” , “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit e mbetur në tentativë” të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. /a.y/noa.al
Zbardhet plagosja dhe tentativa e rrëmbimit një personi në Patos, një në pranga, 4 në kërkim
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





