

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, reagon pas deklaratës së Presidentit Ilir Meta, i cili e akuzoi qytetarin e parë të kryeqytetit për presion ndaj medias, për të mos nxjerrë të vërtetën.
Veliaj ka nxjerrë një fotografi nga video-përgjimi i realizuar nga i ndjeri Dritan Prifti, për t’iu përgjigjur kreut të shtetit, lidhur me propozimin e tij për të hapur media të re.
"Lajm i mirë që Ilir Meta ka marrë iniciativën për një media të re transparente dhe kritike me pushtetin. Ai ka jo vetëm lekët por dhe historinë e tij të 7 për qindshit, që mund ta mbajë gjallë këtë medie si me para ashtu dhe me permbajtje gjithë jetën! Suksese!", shkruan Veliaj.
Ky qëndrim vjen pasi, Meta shprehu solidaritet të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik.
Gjithçka teksa i referohej disa mesazheve ku pretendohet se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka dërguar pronarit të Ora News, ku sulmon gazetaren Beti Njuma.
Meta tha se tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve kriminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre.
“Asgjë nuk e ndal ndryshimin! Madje koha e ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh. Tani ka ardhur Kohë tjetër! Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti. Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve”, shkroi Meta.
Ai kërkoi që të kujtohej poezia e Havzi Nelës dhe ti qëndrohet misionit fisnik në shërbim të të vërtetave dhe popullit shqiptar që meriton të rimarrë në dorë fatet e tij.
Si President, por edhe si qytetar, Meta u shpreh në krahë të gazetares Beti Njuma dhe familjes së saj të lënduar nga “rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal”, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment.
Kreu i shtetit shtoi se çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner.
“Dhe Bordi Drejtues do jetë i përberë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi”, shkroi në mbyllje Presidenti. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





