

Presidenti Ilir Meta shpreh solidaritet të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik.
Gjithçka teksa i referohet disa mesazheve ku pretendohet se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka dërguar pronarit të Ora News, ku sulmon gazetaren Beti Njuma.
Ai thotë se tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve kriminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre.
“Asgjë nuk e ndal ndryshimin! Madje koha e ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh.
Tani ka ardhur Kohë tjetër! Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti. Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve”, shkruan Meta.
Ai kërkon që të kujtohet poezia e Havzi Nelës dhe ti qëndrohet misionit fisnik në shërbim të të vërtetave dhe popullit shqiptar që meriton të rimarrë në dorë fatet e tij.
Si President, por edhe si qytetar, Meta shprehet në krahë të gazetares Beti Njuma dhe familjes së saj të lënduar nga “rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal”, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment.
Kreu i shtetit shton se çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner.
“Dhe Bordi Drejtues do jetë i përberë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi”, shkruan në mbyllje Presidenti, duke ndarë shkrimin që gjeni më poshtë.
Këshilli i Medias kundër Erion Veliajt: Kërkoju falje gazetarëve!
Këshilli Shqiptar i Medias, bashkë me gazetarët dhe mediat partnere, PROTESTON fuqimisht lidhur me skandalin e mesazheve të drejtuara pronarit të Ora News, z. Ylli Ndroqi nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj.
Siç raportohet, mesazhet janë mbi 1 një vit të vjetra, dhe nuk kanë lidhje me situatën e sekuestros ndaj z. Ndroqi të javëve të fundit. Mesazhet, përveçse fyerjeve personale e profesionale ndaj një gazetareje, janë presion i hapur për të ndryshuar linjën editoriale dhe ndërhyrje jo vetëm imorale, por dhe e paligjshme në pavarësinë e medias.
Këto mesazhe tregojnë dhe mënyrën kërcënuese me të cilën trajtohet media dhe presionin mbi të cilin vihen gazetarët shqiptarë nga funksionarët e zgjedhur, si Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ato paraqesin një frymë thellësisht anti-europiane dhe autokratike të menaxhimit të PR-it nga ana e z. Veliaj.
KSHM i kërkon Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Veliaj, të prononcohet mbi autenticitetin e këtyre mesazheve, dhe të dalë e të kërkojë falje publike, jo vetëm para gazetares Njuma, por dhe ndaj komunitetit të gazetarëve.
KSHM i kërkon organeve përgjegjëse të Drejtësisë të hetojnë urgjentisht autenticitetin e këtyre mesazheve, të cilat, në rast se porovohen të vërteta, shkelin rëndë Kushtetutën e Shqipërisë nga një funksionar i zgjedhur, dhe dhunojnë lirinë e fjalës e të shprehjes.
KSHM i kërkon kolegëve gazetarë, që pavarësisht qëndrimit politik, të prononcohen fort për të mbrojtur jo thjesht një kolege, por vetë profesionin e tyre dhe edhe veten e tyre nga sulme të tilla ndaj lirisë së fjalës dhe të informimit. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





