
Pas ftesës së Kryeministrit Edi Rama për opozitën jashtëparlamentare që të paraqiten në orën 17.00 të pasdites së sotme në Këshillin Politik, vjen reagimi i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Dy përfaqësuesit e PD-LSI, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vaili propozojnë se mbledhja e Këshillit Politik, është e përshtatshme, që të zhvillohet të enjten në orën 17:00, ose të premten ora 11:00, sipas kohës tuaj.
“Në rendin e ditës së mbledhjes siç kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, duhet të përfshihet vijimi i punës së Këshillit për zbatimin e pikave 11 dhe 12 të saj, ku specifikohet se: “11. Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me: (1) blerjen e votës; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike; (4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale; (5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Në rast të mosprogresit këto propozime nuk do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9. Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 9, 9, 10 dhe 11 më sipër dhe dy shënimet poshtë do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më sipër do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore dhe parlamentare”, thuhet në përgjigje.
Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, deklarohet se nëse mazhoranca ka vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëhet me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Në përfundim thuhet se “Mbetemi në pritje të konfirmimit tuaj!”
Ndërkohë paraditen e sotme Rama tha, “Përsëris apelin për opozitën jashtëparlamentare që të mos e bojkotojë Këshillin Politik dhe të vijojmë dialogun tripalësh së bashku me opozitën parlamentare, për reflektimet e risive kushtetuese!”.
Mbledhja e Këshillit Politik, pritet pasi Partia Socialiste dhe opozita parlamentare firmosën mbrëmjen e djeshme, marrëveshjen për ndryshimet kushtetuese.
Në mbledhjen e Këshillit Politik pritet diskutimi dhe gjetja e dakordësisë për hapjen e listave zgjedhore dhe përjashtimin e koalicioneve parazgjedhore. /a.y/noa.al
Rama: Në orën 17.00 mblidhet Këshilli Politik, ftoj opozitën në dialog tripalësh
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





