Transmetuar më 11-07-2020, 14:33

Mes 93 rasteve të reja të infektimeve me koronavirus të raportuara në 24 orët e fundit, është edhe ai i kryetarit të Partisë Demokratike në Roskovec.

Gëzim Caushi e ka pohuar vetë infektimin, me anë të një postimi në rrjetet sociale, duke thënë se është izoluar.

Por ai bën me dije se pas tre ditësh, më në fund ka marrë sot përgjigjen e testit.

“Miq, bashkëqytetarë dhe dashamirës. Sot mora përgjigjen e testit të bërë të enjten për koronavirus. Testi ishte pozitiv. Prej 10 ditësh jam vetëizoluar në shtepi pasi dyshoja se isha infektuar. Nuk e di si mund të jem infektuar kur kam qenë i kujdesshëm gjatë gjithë kohës. Gjatë valës së parë të pandemisë qëndrova plot 60 ditë pa dalë nga shtëpia duke respektuar karantinën. Edhe tani kam zbatuar distancimin social dhe masat anti-covid. Por virusi gjithesesi më gjeti. Jam mirë tani, por kalova ditë të vështira. Miq, dashamirës, bashkëqytetarë të mi, bëni kujdes maksimal, për vete dhe familjarët tuaj. Kjo është luftë me kohen jo me virusin. Miqësisht Gëzim Caushi”, shkruan kryedemokrati i Roskovecit.

Kujtojmë se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 93 raste pozitive.

Deri më tani numri i viktimave ka shkuar në 89, ku në orët e fundit humbën jetën një 68 vjeçar nga Durrësi, një 65 vjeçar nga Tirana, një 63 vjeçar nga Elbasani dhe një 71 vjeçare nga Shkodra, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, në gjendje të rënduar si pasojë e Covid-19.

Në vendin tonë aktualisht janë 1401 persona aktivë me Covid-19, në Tiranë 591; Durrës 229; Shkodër 178; Vlorë 120; Lezhë 68; Fier 42; Kukës 41; Korçë 34; Elbasan 33; Berat 25; Gjirokastër 22 dhe Dibër 18. /a.y/noa.al

Në 24 orët e fundit u shënua situata më e rënduar, 4 viktima, 93 të infektuar

Shënohet bilanci më i rëndë i të gjitha ditëve, 4 viktima nga koronavirusi