Transmetuar më 23-06-2020, 09:52
Bujar Hasani, Paulin Gjergji

Policia e Lezhës jep informacion zyrtar lidhur me të arrestuarin si të dyshuar për atentatin me dy të vrarë më 30 maj, në Kurbin, i cili u kap duke marrë mjekim në një klinikë private në Tiranë, çka çoi në pranga edhe dy mjekë.

“Klinika” u kurorëzua operacioni i kryer mbrëmjen e së hënës, duke çuar në zbardhjen e krimit të dyfishtë.

Në kuadër të operacionit u kap në një klinikë private në Tiranë, Eduart Lama, 30 vjeç, banues në Laç, i cili gjatë kryerjes së krimit ku mbetën të vrarë Bujar Hasani (Lika) , 37 vjeç dhe Paulin Gjergji, 53 vjeç, si dhe u plagos Kreshnik Tusha, 21 vjeç, pati shkëmbim zjarri dhe për pasojë u plagos në këmbë edhe i dyshuari, i cili po mjekohej ilegalisht në një klinikë private në Tiranë.

Po gjatë operacionit u vunë në pranga dy mjekë në klinikën në të cilën mjekohej autori i dyshuar i vrasjes, konkretisht V. M., 42 vjeç dhe B. L, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Lama ishte paraqitur në spital me plagën e infektuar, ku në këmbim të parave kishte siguruar mjekimin.

Aktualisht vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për kapjen dhe prangosjen e tre bashkëpunëtorëve të shpallur në kërkim. /a.y/noa.al

Vrasja e dy biznesmenëve në Kurbin, arrestohet një person i dyshuar, u paraqit në spital i plagosur