Transmetuar më 23-06-2020, 09:11

I dyshuar si i përfshirë në vrasjen e dy biznesmenëve në Kurbin më 30 maj, arrestohet një person në orët e vona të mbrëmjes së të hënës.

I arrestuari është një 30-vjeçar i identifikuar si Eduart Lama, i cili dyshohet se është i përfshirë në atentatin ku gjetën vdekjen Bujar Lika (Hasani) 37 vjeç dhe Paulin Gjergji 53 vjeç.

I dyshuari është paraqitur në spital privat, mbrëmjen e së hënës i plagosur, ku verifikimet paraprake çuan në ndalimin e tij si të dyshuar.

Krahas tij janë arrestuar edhe dy mjekë të spitalit privat, të cilët e kuronin Lamaj ilegalisht.

Dyshohet se plagosja e tij ka ndodhur në 30 maj gjatë shkëmbimit të zjarrit në hotelin ku ndodhi ekzekutimi i dyfishtë, ndërsa kur u paraqit në spital e kishte plagën të infektuar si dhe u paraqit me identitet tjetër.

Pas ngjarjes policia arrestoi 23-vjeçarin Kreshnik Tusha, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në ekzekutimin e dyfishtë.

Dyshohet se gjithçka ndodhi një atentat mafioz, gjatë të cilit Hasani gjeti vdekjen menjëherë, ndërsa Gjergji ndërroi jetë mëngjesin e së dielës në spitalin e Traumës.

Gjithë skena u filmua nga kamerat e sigurisë, pamje të sekuestruara për hetimet.

Viktima Paulin Gjergji, njihej edhe si pronari i ish-bar Nikolinos në Tiranë, i cili njihet edhe si pronar kazinosh, ndërsa Lika i një lokali tjetër. /a.y/noa.al

Vrasje me armë zjarri në një hotel në Laç

U vra para hotelit në Laç, kush është biznesmeni i ekzekutuar