Transmetuar më 06-06-2020, 10:59

“Një gjest i ulët kriminal prej një punonjësi policie!” Me këto fjalë e komentoi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, arrestimin e shefin e policisë së Fushë Arrëzit, Izmir Durakut, pas denoncimit të një vajze të rritur në jetimore për përdhunim prej tij.

Duke folur ditën e sotme nga dogana e Hani i Hotit ku ishte i pranishëm, ministri deklaroi se “Duhen shtuar penalitetet dhe duhen çuar në ekstrem penalitetet për kujdestarët. Nuk është thjeshte çështje e ligjit por edhe e sensibilizimit shoqëror. Duhet të reagojmë thellë si shoqëri”.

Sipas tij, një pjesë e mirë e abuzimeve ndodhin nga kujdestarët dhe ata që duhet të kujdesen për të miturit.

Ndër të tjera mohoi mundësinë e rikthimit të dënimit me vdekje, ndonëse shtoi se është reaguar pas sinjalizimit të marrë.

Vajza e rritur në jetimoren e Shkodrës, denoncoi në polici se abuzimi seksual ndaj saj ka ndodhur në vitin 2015. Pas denoncimit të së resë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, ndaluan shefin e Stacionit Policor Fushë-Arrëz, i dyshuar për marrëdhënie seksuale me dhunë.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në vitin 2015, por është kallëzuar së fundmi nga vajza, në prani të një psikologu.

Bazuar në provat e mbledhura, ka dyshime të forta se në muajin prill 2015, ajo është ngacmuar seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në DVP Shkodër.

Vajza kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër. /a.y/noa.al

Dyshohet për marrëdhënie seksuale me dhunë, arrestohet shefi i Policisë