Transmetuar më 05-06-2020, 23:29

Drejtoria e Hetimit e SHÇBA-së, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka ndaluar shefin e Stacionit Policor Fushë-Arrëz, i dyshuar për marrëdhënie seksuale me dhunë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në vitin 2015, por është kallëzuar së fundmi nga vajza, në prani të një psikologu.

Bazuar në provat e mbledhura, ka dyshime të forta se në muajin prill 2015, ajo është ngacmuar seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në DVP Shkodër.

Vajza kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër.

SHÇBA ndaloi Izmir Duraku, me detyrë aktuale Shef i Postës së Policisë në Fushë Arrëz. Ndërkohë, autoritetet shtetërore dhe organizata jo fitimprurëse kanë marrë në mbrojtje shtetasen duke e strehuar dhe duke u përkujdesur në një qender sociale.