Transmetuar më 06-06-2020, 09:44

Një denoncim për përdhunim nga ana e një vajze të re, ka bërë që drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, të shkarkojë nga detyra shefin e policisë së Fushë Arrëzit, Izmir Duraku.

Vajza e rritur në jetimoren e Shkodrës, denoncoi në polici se abuzimi seksual ndaj saj ka ndodhur në vitin 2015.

Pas denoncimit të së resë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, ndaluan mbrëmjen e së premtes, shefin e Stacionit Policor Fushë-Arrëz, i dyshuar për marrëdhënie seksuale me dhunë.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në vitin 2015, por është kallëzuar së fundmi nga vajza, në prani të një psikologu.

Bazuar në provat e mbledhura, ka dyshime të forta se në muajin prill 2015, ajo është ngacmuar seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në DVP Shkodër.

Vajza kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër.

SHÇBA ndaloi Izmir Duraku, me detyrë aktuale Shef i Postës së Policisë në Fushë Arrëz. Ndërkohë, autoritetet shtetërore dhe organizata jo fitimprurëse kanë marrë në mbrojtje shtetasen duke e strehuar dhe duke u përkujdesur në një qendër sociale. /a.y/noa.al

Dyshohet për marrëdhënie seksuale me dhunë, arrestohet shefi i Policisë