Transmetuar më 05-06-2020, 08:39

Një ekzekutim i dyfishtë me breshëri kallashnikovi, u shënua në orët e vona të mbrëmjes së kësaj të enjteje në fshatin Gramëz të Krujës.

Nga të shtënat gjetën vdekjen dy vëllezërit Gramoz Bardhi 34 vjeç dhe Xhontil Bardhi 24 vjeç, të cilët për shkak të plagëve të marra ndërruan jetë rrugës për në spital.

Si të dyshuar për krimin policia tha se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim, bashkëfshatarin e tyre, Roland Pula, 32 vjeç.

Pak pas krimit, policia gjeti të braktisur në afërsi të pompave të ujit në fshat, ndërkohë që i dyshuari arriti të humbte gjurmët.

Nga hetimet e kryera rezulton se dy viktimat, ashtu sikundër dhe i dyshuari, janë të skeduar për disa vjedhje, ndërkohë që Pula njihej në fshat si person mjaft problematik, për shkak të veprimtarive të tij në vjedhje dhe grabitje.

Mësohet se viktimat dhe autorët e dyshuar kanë pasur prej kohësh konflikte dhe përplasje fizike me njeri tjetrin dhe se mbrëmjen e djeshme janë konflikuar në një lokal.

Kjo ka bërë që Pula të largohet për tu rikthyer i armatosur, ku i’u ka bërë pritë dy vëllezërve teksa po ktheheshin në shtëpi.

Konfliktet mes tyre dyshohet se kanë nisur vite më parë, kur vëllai i mesëm i viktimave, ka plagosur me thikë, xhaxhanë e 32-vjeçarit Pula dhe që nga ai moment, konfliktet kanë vijuar me ulje-ngritje. /a.y/noa.al

Masakër me dy persona të vrarë në Krujë, kërkohet autori i vrasjeve