Transmetuar më 20-05-2020, 12:28
Fran Tuci

Gjatë operacionit anti-drogë të koduar “Shënmëri 2020”, i cili u zhvillua mëngjesin e sotëm në Kukës u arrestuan 19 persona.

Mes tyre është edhe vëllai i kryebashkiakut të Fushë Arrëzit, Fran Tuci, Arben Tuci.

Ky i fundit rezulton i dënuar dy perë për trafik droge, në vitin 2012 dhe në vitin 2016, por duket se pavarësisht kësaj nuk ka hequr dorë nga aktiviteti kriminal.

Nga hetimet e kryera, rezulton se kuksiani Kreshnik Murataj, kishte rolin e organizatorit dhe se zbulimi i grupit është bërë nëpërmjet përgjimeve.

Policia tha zyrtarisht ditën e sotme se në zbatim të Planit të Veprimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për marrjen e masave operacionale në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunim me strukturat e lëvizjes operacionale FLO, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, si dhe me SHÇBA-në dhe nën Drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, në orët e para të mëngjesit finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Shënmëri 2020”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë për 19 shtetas, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike, në bashkëpunim” dhe konkretisht: Shkëlqim Skacaj, 29 vjeç, Arben Tuçi, 50 vjeç, F. M., 20 vjeç, Petrit Pashku, 61 vjeç, Akil Buna, 36 vjeç, Arben Bejko, 52 vjeç, Besart Dreni, 27 vjeç, Tarzan Veseli, 40 vjeç, Pal Përgjegjaj 46 vjeç, Benard Kordhaku, 36 vjeç, Shkëlqim Topuzi, 46 vjeç, Zamir Myftari, 44 vjeç dhe R. T., 24 vjeç, nga këto 10 shtetas janë banorë të Kukësit, një banor i Lezhës, 1 i Pukës dhe 1 i Gjirokastrës.

Për shtetasit Sali Kovaçi, 41 vjeç, Kreshnik Murataj, 26 vjeç dhe Adriatik Hoxha, 34 vjeç, u bë njoftimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” në IEVP Tiranë, pasi janë arrestuar për vepra të tjera penale.

Gjithashtu në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim e 3 shtetasve: Benard Kordhaku, Zamir Myftari dhe Besnik Coka.

Nga strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës janë arrestuar dy punonjës policie, shtetasi Arben Kalaja 49 vjeç dhe shtetasi Ramiz Cenaj, 59 vjeç, për veprën penale “ Shpërdorimi i detyrës”.

Dokumentimi i këtij aktiviteti kriminal është bërë pas një hetimi disa mujor nga strukturat e DVP Kukës në bashkëpunim me SHÇBA-në, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, duke aplikuar format dhe metodat speciale të hetimit, në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2018, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Ndërsa për oficerin e policisë Naim Kadiu, u mor masa e pezullimit nga detyra.

Po gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi S. V., 41 vjeç, banues në Shtanë, Kukës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesën e tij u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri tip automatik, si dhe në ambientet e jashtme u gjetën 54 kubikë me bimë të dyshuar narkotike kanabis. /a.y/noa.al

Operacion antidrogë në Kukës, rreth 20 të arrestuar, mes tyre policë/ Emrat