
Ministria e Shëndetësisë konfirmoi ditën e sotme rikthimin e rasteve të të infektuarve, me koronavirus në Fier.
Bëhet fjalë për tre raste të rezultuar pozitiv, pas disa ditësh pa asnjë rast të prekur nga Covid-19 në qarkun e Fierit.
Mësohet se tre rastet e fundit janë të një familje dhe më konkretisht bëhet fjalë për një grua shtatzënë, djalin e saj 2 vjeç dhe vjehrrën e saj rreth 70 vjeçe.
Familja jeton në lagjen “Liri Gero” dhe rezulton se infektimi është marrë nga gruaja e cila ndodhet në muajin e tetë të shtatzënisë.
Kjo e fundit kishte shkuar në Tiranë ku ka takuar prindërit e saj të cilët rezultonin të prekur nga koronavirus pa simptoma, duke bërë që ta përcjellë virusin në familjen e saj.
I shoqi i saj ndodhet në Suedi, ndërkohë që edhe e reja jeton atje, por mbeti e bllokuar në Shqipëri, pas ndërprerjes së lëvizjes prej koronavirusit.
Që të tre të infektuarit po mbahen nën monitorim, ndërkohë që janë izoluar në shtëpinë e tyre, pa probleme serioze.
Aktualisht në vendin tonë nga 206 raste aktive, shpërndarja e tyre është Tiranë 98; Krujë 69; Shkodër 16; Kamëz 6; Kurbin 4; Elbasan 3; Fier 3; Mirditë 2; Berat 2; Durrës 1; Korçë 1 dhe Lezhë 1. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





