Transmetuar më 06-05-2020, 11:15

Konfirmohen 12 raste të reja me koronavirus, nga 255 testime të kryera në 24 orët e fundit.

Zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, duke prezantuar raportin e rasteve të reja tha se këto infektime rezultojnë 3 në Fier, 3 në Krujë, 3 në Kamëz, 2 në Shkodër dhe 1 në Tiranë.

Pjesa më e madhe e tyre janë kontakte të rasteve të konfirmuara më parë dhe të gjetura nga hetimi epidemiologjik.

Me këto shifra shkon në 832 numri total i të infektuarve.

Prej tyre janë tashmë të shëruar 595 persona dhe vazhdojnë të jenë aktivë aktivë 206 persona.

Në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 36 pacientë dhe vetëm 8 prej tyre janë në terapi intensive.

Pjesa tjetër po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë.

“Situata epidemiologjike e infeksionit Sars Cov 2 dhe sëmundjen Covid 19 në Shqipëri, po monitorohet me shumë kujdes nga të gjitha strukturat shëndetesore. Veçanërisht në këtë situatë të lehtësimit të masave, është rritur vigjilenca për gjurmimin, testimin dhe identifikimin në kohë të rasteve të dyshuara me COVID19 si dhe kontakteve të tyre, në mënyrë që situata të vazhdojë të mbahet në kontroll”, tha Rakacolli.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 98; Krujë 69; Shkodër 16; Kamëz 6; Kurbin 4; Elbasan 3; Fier 3; Mirditë 2; Berat 2; Durrës 1; Korçë 1 dhe Lezhë 1.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara nga autoritetet shëndetësore sidomos distancimi fizik si një nga mjetet më efikase të parandalimit të infeksionit. Po ashtu bizneset e hapura duhet të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, në mbrojtje të shëndetit publik dhe të parandalimit të shtimit të infeksionit.

“Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus.

Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, tha zv.ministrja.

PËRDITËSIM LIVE 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd