







Personi që shikoni në fotografi është 22-vjeçari Altin Ndoci, i dyshuari kryesor për ekzekutimin e dy vëllezërve Besmir Haxhiu dhe Viktor Haxhiu, krim i ndodhur pasditen e 27 prillit.
Ai akuzohet se është po ashtu autori i vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 2 mars, po në Durrës, kur u ekzekutuan Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdiaj.
Mësohet se Ndoci nuk është i panjohur për policinë, pasi në vitin 2015, është arrestuar për një sërë grabitje makinash në Tiranë. Po ashtu, Ndoci rezulton që të jetë i përfshirë në trafikun e drogës, ku prishja e pazareve dyshohet të jetë bërë shkak për katër vrasjet e tij.
Policia tha zyrtarisht se dy persona u arrestuan nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Shën Vlashi”, të akuzuar për katër vrasje.
Në komunikimin për mediat lidhur me operacionin, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu deklaroi se arrestimi i tyre u bë pas hetimeve intensive lidhur me ekzekutimin e 27 prillit, ku u vranë me armë zjarri dy vëllezërit Besmir Haxhiu dhe Viktor Haxhiu.
Operacioni për kapjen e të dyshuarve u krye nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Të arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Shën Vlash” janë Altin Ndoci, 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe Klevis Alla, 22 vjeç, banues në Durrës.
Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas.
Nga hetimet e kryera u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më 2 mars 2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit Dorjan Shkoza, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdija, 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar.
Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Aktualisht vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për arsye hetimi nuk bëhen me dije detaje të tjera. /a.y/noa.al
Vrasja e dy vëllezërve në Durrës, arrestohen dy persona si autorë të dyshuar
Dy të arrestuarit për vrasjen e vëllezërve në Durrës, dyshohen dhe për vrasjen e dy të tjerëve
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





