Transmetuar më 01-05-2020, 11:20

Dy personat e arrestuar për vrasjen e ndodhur më 27 prill në Durrës, ku u ekzekutuan me armë zjarri dy vëllezërit Besmir Haxhiu dhe Viktor Haxhiu, janë të dyshuar edhe për një vrasje tjetër të dyfishtë.

Të arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Shën Vlash” janë Altin Ndoci, 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe Klevis Alla, 22 vjeç, banues në Durrës.

Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas.

Nga hetimet e kryera u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit Dorjan Shkoza, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdija, 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar.

Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.

Aktualisht vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për arsye hetimi nuk bëhen me dije detaje të tjera. /a.y/noa.al

Vrasja e dy vëllezërve në Durrës, arrestohen dy persona si autorë të dyshuar

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd