Transmetuar më 27-04-2020, 13:45

Dalin detaje të reja lidhur me dhunimin e egër të një vogëlushi 3-vjeçar, në zonën e Kamzës.

Ngjarja e rëndë u shënua më 24 prill, ku si i dyshuar u arrestua njerku i tij, më konkretisht 35-vjeçari Alfred Kazanxhiu, i cili bashkëjetonte me nënën e të miturit.

I akuzuari ka dalë sot para Gjykatës së Tiranës, e cila e ka lënë në masë sigurie “arrest me burg”.

Mësohet se Kazanxhiu prej disa muajsh kishte nisur bashkëjetesën me nënën e 3-vjeçarit dhe kjo e fundit aktualisht është shtatzënë, në pritje të fëmijës së 35-vjeçarit.

Mësohet se fëmija është dërguar në Spitalin e Traumës mesditën e 24 prillit në gjendje të rëndë nga e ëma dhe Kazanxhiu, me tre brinjë të thyera dhe trauma të rënda, teksa mjekët kanë konstatuar shenja dhune në të gjithë trupin.

I pyetur nga mjekja që po e ndiqte, vogëlushi ka thënë se e ka rrahur nëna dhe babai. Por i mituri aktualisht ndodhet në koma, si pasojë e hemorragjisë në kokë nga dhuna.

Po ku ndodhej nëna e vogëlushit në momentin e ngjarjes? A.Hoxha rreth 30 vjeç, në momentin që i biri është dhunuar ishte duke punuar tek fqinjët, ku kujdesej për vajzën e tyre invalide. Pasi kishte mbaruar punë, në dëshminë e saj Hoxha ka thënë se ka qenë duke blerë bukë dhe qumësht, kur e ka marrë Alfredi në telefon, duke i thënë se djali kishte rënë nga divani dhe nuk po reagonte.

Ajo ka treguar se para pallatit ku jetonin me qira, ishin mbledhur fqinjët dhe aty pa të birin në krahët e bashkëjetuesit.

Kur e pyeti 35-vjeçarin se çfarë kishte ndodhur, ai i tha se ndodhej në banjë kur e gjeti djalin pa ndjenja, të rrëzuar nga divani.

Po ashtu ajo tha se edhe dhjetë ditë më parë, Alfredi i kishte thënë se kishte rënë sërish nga divani dhe kishte vrarë kokën ku në atë rast e kishin çuar në spitalin e Kamzës për mjekim.

35-vjeçari u arrestua një ditë pas ngjarjes, por mohon që ta ketë dhunuar vogëlushin.

Nga ana e tyre fqinjët kanë deklaruar se e kanë parë edhe herë të tjera fëmijën me shenja. /a.y/noa.al

Një person në Tiranë, i shkakton dëmtime serioze për jetën fëmijës së bashkëjetueses

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd