


Mes 277 personave të prekur me koronavirus në Shqipëri, 8 janë fëmijë. Fëmijët e prekur nga Covid-19 ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëizoluar në shtëpi.
Këto shifra u konfirmuan nga Rovena Daja, përfaqësuese e Insitutit të Shëndetit Publik, duke dhënë raportimin e 24 orëve të fundit.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 81 të shtruar, ku 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga janë të intubuar, në gjendje të rëndë.
Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” ndodhet një pacient i shtruar.
Sakaq mëngjesin e sotëm ndërroi jetë një pacient 78- vjeçar nga Durrësi i konfirmuar me COVID-19. 78-vjeçari ishte në gjendje të rëndë, i intubuar prej 3 ditësh dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor nuk arriti të mbijetojë dhe me vdekjen e tij shkon në 16 numri i viktimave.
Bëhet e ditur se mosha mesatare e rasteve pozitve me COVID-19 është 50 vjeç, ndërsa numri total i pacientëve të shëruar ka shkuar në 76.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë, Has, Elbasan, Shkodër dhe Pukë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është në Tiranë 143 raste; Durrës 30 raste; – Lushnje 4 raste; Elbasan 8 raste; Fier 23 raste; Kavajë 6 raste; Rrogozhinë 2 raste; Korçë 16 raste; Vlorë 5 raste; Shkodër 10 raste; Lezhë 6 raste; Berat 1 rast; Has 8 raste; Krujë 5 raste; Tropojë 4 raste; Pukë 4 raste dhe Mirditë 2 raste. /a.y/noa.al
Shkon në 16 numri i viktimave nga koronavirusi, 18 raste të reja
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





