
Duket se fluksi i të infketuarve me koronavirus në vendin tonë nuk po njeh rënie, ku mëngjesin e sotëm konfirmohet viktima e 16-të.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient 78- vjeçar nga Durrësi i konfirmuar me COVID-19. 78-vjecari ishte në gjendje të rëndë, i intubuar prej 3 ditësh dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor nuk arriti të mbijetojë.
Në raportimin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë, u konfirmuan 18 raste të reja, duke çuar në total 277 numrin e të prekurve.
Përfaqësuesja e Instutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja bëri me dije se në 24 orët e fundit janë testuar 96 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 18 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 1919 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 277 raste, nga të cilët vetëm 8 janë fëmijë. Mosha mesatare e rasteve pozitve me COVID-19 është 50 vjeç.
Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 9 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 76.
Sot janë testuar edhe 9 personel shëndetësor të cilët kanë rezultuar negativë.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 81 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” ndodhet një pacient i shtruar.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë, Has, Elbasan, Shkodër dhe Pukë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është në Tiranë 143 raste; Durrës 30 raste; – Lushnje 4 raste; Elbasan 8 raste; Fier 23 raste; Kavajë 6 raste; Rrogozhinë 2 raste; Korçë 16 raste; Vlorë 5 raste; Shkodër 10 raste; Lezhë 6 raste; Berat 1 rast; Has 8 raste; Krujë 5 raste; Tropojë 4 raste; Pukë 4 raste dhe Mirditë 2 raste.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





